Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve, duke ulur çmimin e naftës me 6 lekë, ndërsa benzina ka mbetur pa ndryshim. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil standard SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 212 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 200 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë të standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë është i përcaktuar jo më shumë se 179 lekë/litër dhe çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Bordi, me emërtimin e plotë “Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit”, mbështeti vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, dhe veproi në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar.
Vendimi u mor në mbledhjen e bordit datë 31 Tetor 2026. Çmimet e caktuara do të hyjnë në fuqi sot, datë 31, ora 12:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Njoftohet se në rast të shkeljeve të konstatuara ndaj operatorëve do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
