Dy 26-vjeçarë janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “Qarku”, pasi dyshohen për gjashtë vjedhje në Pogradec dhe Korçë. Të arrestuarit janë Romeo Memetali, banues në fshatin Drenovë, dhe Ronaldo Mehmeti, banues në Korçë. Ndërkohë, një person i tretë, i identifikuar si E. Ll., banues në Kamëz, është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i dyshuar.
Sipas policisë, dy të rinjtë dyshohet se kanë vjedhur në pesë biznese, si dhe kanë marrë disa sende nga një automjet. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan sendet e dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjetin me të cilin dyshohet se kryenin lëvizjet.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të hetimeve për zbardhjen e vjedhjeve dhe identifikimin e autorëve.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin ligjor të disa vjedhjeve të tjera, për të cilat dyshohet se janë përgjegjës të arrestuarit dhe bashkëpunëtori i tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.


