Dy të rinj nga Kosova, të dënuar me nga 15 vite burg secili në Gjermani, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, në Kukës. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim dhe dëmtim prone.
Të arrestuarit janë 22 dhe 24 vjeç, me inicialet G. M. dhe F. B., të dy banues në Vushtrri. Sipas Policisë, Gjykata e Erfurtit i ka dënuar më 1 qershor 2026 me nga 15 vite burgim secilin për veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.
Arrestimi i tyre u krye nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, po vijon procedurat për ekstradimin e dy të rinjve drejt Gjermanisë.


