
Erjon Vishkulli, tifozi i njohur i Kombëtares shqiptare, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestave studentore, ka ndarë një mesazh falënderimi në rrjetet sociale për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këtë periudhë të vështirë.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Itali, Vishkulli po përballet me një tjetër sfidë që lidhet me rikuperimin e shikimit. Në reagimin e tij, ai shprehet se mbështetja e familjarëve, miqve dhe shqiptarëve nga brenda dhe jashtë vendit i ka dhënë forcë dhe shpresë për të vijuar përpara.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur përmes mesazheve, telefonatave, fjalëve të ngrohta dhe lutjeve, duke theksuar se solidariteti i treguar ndaj tij ka pasur një domethënie të veçantë në këtë moment të vështirë.
Reagimi i plotë i Erjon Vishkullit:
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira. Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.
Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!
Mirënjohje pafund, u shtofshin shqiptarët e mirë”.