Aksidenti i rëndë hekurudhor në Spanjë, ku deri më tani janë nxjerrë 69 trupa të pajetë nga rrënojat, ka tronditur besimin e qytetarëve në sistemin hekurudhor të vendit dhe në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez.
Ngjarja po ndodh vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat Sánchez i ka thirrur, ndërsa aksidenti pritet të ndikojë edhe më tej në pozitën e tij politike, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë hekurudhor në Spanjë brenda vetëm nëntë muajsh. Në janar, dy trena u përplasën pranë Kordobës, duke shkaktuar 46 viktima. Ndërsa në aksidentin e fundit, në pjesën qendrore të vendit, 69 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e trenave, të shpërndara përgjatë binarëve dhe në një pjerrësi pranë tyre.
Hetimet zyrtare për aksidentin e fundit në Toledo sapo kanë nisur, por qeveria ka marrë menjëherë nën kontroll komunikimin publik lidhur me ngjarjen.
Që në orët e para pas përplasjes, ministri i Transportit, Oscar Puente, ka ngritur mundësinë që shkak të aksidentit të ketë qenë “gabimi njerëzor”, duke u përpjekur të sqarojë përgjegjësitë jashtë kabinetit qeveritar.
Të premten, ai doli sërish para mediave për të prezantuar atë që i quajti “fakte objektive” lidhur me aksidentin dhe për t’iu përgjigjur kritikave të shumta ndaj qeverisë.
Partia Popullore (PP), në opozitë, është ndër zërat që kanë kërkuar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar atë si një veprim të domosdoshëm moral dhe etik.
Megjithatë, pas shprehjes së dhimbjes për viktimat, Puente hodhi poshtë pretendimet për mungesë kronike të investimeve në infrastrukturën hekurudhore.
Ai këmbënguli se sistemi i sigurisë dhe sinjalizimit të trenave me shpejtësi të lartë, LZB, nuk është as i vjetruar dhe as i papërshtatshëm, duke theksuar se i njëjti sistem përdoret edhe në Gjermani dhe Austri.
Ministri bëri të ditur se sistemi kishte dështuar 170 herë që nga fillimi i këtij viti, por e cilësoi këtë si diçka normale dhe në nivelin mesatar të Bashkimit Evropian.
Problemi, sipas tij, qëndron në atë që ndodh kur sistemi dështon dhe kontrolli i linjës kalon në mënyrë manuale.
Në rastin konkret, Puente përmendi një sërë gabimesh njerëzore që rezultuan fatale. Në një moment, një kontrollues i kishte dhënë urdhër një treni të ndalur që të rifillonte lëvizjen, duke e lejuar të vazhdonte me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë, ndonëse përpara tij ndodhej një tren tjetër i bllokuar në linjë.
Sipas ministrit, rreziku i përplasjes ishte i dukshëm përmes komunikimeve audio dhe ekraneve të mëdha në qendrën e kontrollit në Madrid.
“Ato funksiononin. Ne i kontrolluam. Ata mund ta shihnin se çfarë po ndodhte”, deklaroi Puente, duke konfirmuar se pavarësisht kësaj, trenit që po lëvizte nuk iu dha asnjë urdhër për të ndaluar.
“Unë nuk jam gjykatës, por këto janë faktet”, shtoi ai.
I pyetur nëse do të merrte përgjegjësi personale dhe politike përmes dorëheqjes, ministri deklaroi se detyra e tij ishte të qëndronte në post.
“Do të përballem me situatën, do të jap shpjegime dhe do të sqaroj gjithçka. Do të mendoj se si ta përmirësojmë sistemin dhe t’u rikthejmë besimin atyre që duan të udhëtojnë me tren dhe të ndihen të qetë e të sigurt”, tha ai.
Megjithatë, bindja e qytetarëve duket se do të jetë e vështirë.
“Ky nuk është vetëm një aksident shumë i rëndë, por aksidenti i dytë brenda një periudhe shumë të shkurtër”, ka deklaruar Paco Camas nga instituti i sondazheve Ipsos.
Hetimet për aksidentin e janarit në Adamuz, pranë Kordobës, janë ende të hapura. Raportet fillestare sugjeronin se shkak mund të kishte qenë një çarje në binarë, një rrethanë e ndryshme nga ajo që po hetohet në aksidentin e fundit.
Për qeverinë e Sánchezit, kjo është kriza e fundit në një varg problemesh me të cilat është përballur gjatë muajve të fundit.
Akuzat për korrupsion ndaj familjarëve të afërt të kryeministrit vazhdojnë të jenë pjesë e debatit publik, ndonëse ato janë mohuar.
Gjithashtu, gjatë verës, një fluks i papritur emigrantësh nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës shkaktoi reagime nga kundërshtarët e krahut të djathtë, të cilët akuzuan qeverinë për paaftësi dhe mungesë financimi.
Më vonë, publikimi i një videoje ku shihej një pensioniste duke u nxjerrë me forcë nga banesa e saj nxiti protesta në rrugë. Pikërisht në këtë periudhë, Sánchez vendosi të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Edhe para aksidentit hekurudhor, mundësitë e tij për të fituar zgjedhjet konsideroheshin të kufizuara. Tashmë, sipas analizës së BBC-së, ato janë zvogëluar edhe më shumë.
Sondazhet e fundit tregonin se Partia Popullore e qendrës së djathtë pritej të renditej e para dhe të formonte koalicion me partinë e ekstremit të djathtë Vox.
“Ne kemi këtë shumicë në pothuajse 95 për qind të simulimeve që kemi realizuar”, ka deklaruar profesori Pablo Simón nga Universiteti Carlos III në Madrid.
Deri në aksident, Sánchez kishte zhvilluar një fushatë pozitive, duke u përpjekur të mobilizonte votuesit e pavendosur dhe ata që nuk kishin interes të merrnin pjesë në zgjedhje.
Por situata ka ndryshuar ndjeshëm.
“Ata kanë humbur plotësisht kontrollin mbi agjendën dhe emocionet e kësaj fushate. Tani do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Ekziston një atmosferë e përgjithshme rënieje, e një vendi që nuk funksionon siç duhet. Një gjendje dëshpërimi”, ka thënë Simón.
Përveç pakënaqësisë politike, në vend po rritet edhe zemërimi publik. Në Madrid tashmë janë mbajtur protesta të vogla të organizuara nga grupe të ekstremit të djathtë, ndërsa numër i madh policësh janë vënë në gatishmëri për fundjavën, për shkak të përplasjeve të mundshme që po organizohen përmes internetit.