Tabaku: Thes me rrena për qytetarët, paketa e re fiskale rëndon xhepat e qytetarëve, biznesit të vogël po i jepet një faturë e re

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi se Paketa Fiskale 2027 e prezantuar nga qeveria do të shtojë kostot për biznesin e vogël dhe pasigurinë për familjet shqiptare.

Në videon e saj “Këndi i Fundjavës”, ajo kundërshtoi uljen e propozuar të pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë dhe rritjen e normës standarde në 21%.

Të lidhura

None found

Sipas Tabakut, përfshirja në skemë e bizneseve që sot janë jashtë saj do t’i vendosë sipërmarrësit përpara zgjedhjeve të vështira: të rrisin çmimet, të pranojnë më pak të ardhura ose të rrezikojnë mbylljen.

Ajo paralajmëroi edhe shtim të informalitetit dhe copëzim artificial të aktiviteteve për të qëndruar nën pragun e ri.

Deputetja theksoi se pas çdo biznesi të vogël qëndrojnë kursimet dhe puna e një familjeje. Xhiroja, argumentoi ajo, nuk përfaqëson të ardhurën personale të pronarit, sepse prej saj paguhen furnitorët, qiraja dhe detyrimet e aktivitetit.

Duke u ndalur te propozimi për uljen e TVSH-së së ushqimeve në 6%, Tabaku tha se lehtësimi është i nevojshëm, por kërkoi që të matet me uljen reale të faturës së pazarit.

Sipas saj, mungesa e konkurrencës dhe përqendrimi i tregjeve mund të pengojnë kalimin e plotë të uljes së taksës te konsumatori.

“Familja nuk e mbush dot shportën as me propagandën e qeverisë”, u shpreh ajo.

Për taksën e qarkullimit, Tabaku kundërshtoi paraqitjen si lehtësim të zhvendosjes së pagesës nga karburanti te detyrimi vjetor i automjetit. Sipas saj, qytetarëve u intereson barra e përgjithshme që paguajnë.

Përballë këtyre ndryshimeve, deputetja bëri të ditur se po diskutohet një propozim për një kod fiskal me rregulla të qarta dhe politikë në mbështetje të biznesit, që ajo e përshkroi si një “kushtetutë për biznesin”.

Ajo kërkoi gjithashtu lidhjen e arsimit me tregun e punës dhe sektorin prodhues, si edhe llogaridhënie për përdorimin e parave publike.

 


Shtuar më 31.10.2026 11:24