ITALI/ 31-vjeçari shqiptar u vra për 1500 euro, autori nuk i ktheu borxhin: E qëllova me tre plumba, u ndjeva i kërcënuar

ITALI – Daniele Sartini, 29-vjeçari nga Longiano, i akuzuar për vrasjen e Denaldo Maxhalakut, 31-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në një pus në Itali, ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 7 tetor, ndërsa trupi i pajetë i shqiptarit u zbulua vetëm 21 ditë më vonë, të mërkurën në mëngjes, në një pus në zonën e Felloniche, në Longiano.
Para hetuesve, Sartini ka deklaruar se e ka qëlluar Maxhalakun me tre plumba, duke pretenduar se kishte vepruar nga frika për jetën e tij dhe të familjarëve.
“E bëra unë. Kisha frikë për veten dhe familjen time”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari.

Borxhi prej 1,500 eurosh për drogën, dyshohet se shkaktoi konfliktin
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, mes autorit të dyshuar dhe viktimës kishte një konflikt për një borxh prej 1,500 eurosh, të lidhur me blerjen e kokainës.
Mbrëmjen e 7 tetorit, 31-vjeçari shqiptar kishte shkuar me automjet në banesën e Sartinit për të kërkuar paratë që i detyroheshin.
Gjatë dëshmisë së tij, 29-vjeçari ka treguar se i kishte dhënë fillimisht rreth 100 euro, por Maxhalaku kishte kërkuar pjesën tjetër të shumës dhe ishte zemëruar.
Sipas versionit të të dyshuarit, viktima e kishte kapur nga qafa, ndërsa ai kishte hyrë në banesë me pretekstin se do të kërkonte para të tjera. Aty kishte marrë një pistoletë Glock të kalibrit 40, që i përkiste të atit.
“Denaldo erdhi në shtëpinë time. I dhashë rreth 100 euro, por ai u zemërua, sepse kërkonte shumë më tepër. Më kapi nga qafa dhe unë hyra në shtëpi për të marrë armën. Kisha frikë për veten dhe familjen time, pasi ishim kërcënuar”, ka deklaruar Sartini.
Më pas, sipas rrëfimit të tij, ai ka dalë jashtë dhe ka qëlluar tri herë drejt shqiptarit, përmes xhamit të automjetit.
“Dola jashtë dhe pashë se Denaldo ishte futur në makinë. E qëllova tri herë nga dritarja e automjetit”, ka treguar ai.
Fshehu trupin në pus dhe dogji makinën e viktimës
Pas vrasjes, 29-vjeçari dyshohet se ka ngarkuar trupin e pajetë të shqiptarit në automjet dhe e ka hedhur në një pus pranë banesës së tij, në një zonë fushore.
Për të zhdukur gjurmët e krimit, ai më pas ka djegur automjetin e viktimës.
Trupi i Maxhalakut u zbulua më 28 tetor, pas 21 ditësh nga vrasja. Zbulimi i tij i dha një kthesë hetimeve, të cilat çuan në identifikimin dhe arrestimin e 29-vjeçarit.
Telefoni celular zbuloi lëvizjet e të dyshuarit
Një rol vendimtar në zbardhjen e ngjarjes kanë luajtur të dhënat telefonike. Sipas hetuesve, analizimi i telefonit celular të Sartinit ndihmoi në rindërtimin e lëvizjeve të tij para dhe gjatë kohës kur dyshohet se ndodhi vrasja.
Pas një marrjeje të gjatë në pyetje nga karabinierët, 29-vjeçari ka pranuar krimin dhe ka dhënë detaje për mënyrën se si ndodhi ngjarja.
Autopsia e trupit të Denaldo Maxhalakut është planifikuar të kryhet të hënën pasdite.
Ndërkohë, bashkëshortja 20-vjeçare e viktimës, e cila kishte denoncuar zhdukjen e tij, ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e bashkëshortit, duke thënë se e prisnin në shtëpi ajo dhe vajza e tyre vetëm një vjeçe.
“E prisnim në shtëpi unë dhe vajza ime. Ishte bashkëshort dhe baba i përkushtuar, si dhe një punëtor i madh”, ka treguar ajo.




