
Këtë të shtunë pritet të zhvillohet protesta e radhës kombëtare përpara Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, ndërsa qytetarë dhe përfaqësues të opozitës po nisen drejt Tiranës.
Deputeti i PD-së në Shkodër, Kliti Hoti, deklaroi se demokratët shkodranë do të mbështesin protestën e studentëve. Sipas tij, kërkesa kryesore e tyre është rotacioni politik dhe largimi i qeverisë.
Hoti u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen studentëve, duke pretenduar se mbështetja ndaj protestës po rritet.
“Sa më shumë të jemi në mbështetje të studentëve, aq më të palëkundur do të jenë ata në kërkesat e tyre. Është një kërkesë për rotacion politik dhe ndryshimin e kësaj qeverie”, u shpreh deputeti demokrat.
Ndërkohë, një grup demokratësh është nisur nga Shkodra drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës.