
Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, pasi dyshohen për disa vjedhje në biznese dhe automjete në qytetet e Korçës dhe Pogradecit. Një tjetër person, i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre, është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë dy 26-vjeçarë me inicialet R. M., njëri banues në fshatin Drenovë dhe tjetri në Korçë.
Sipas Policisë, hetimet kanë bërë të mundur dokumentimin e gjashtë rasteve të vjedhjes. Dy të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur në pesë biznese, si dhe kanë marrë sende nga një automjet në Korçë dhe Pogradec.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar sendet e dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjetin me të cilin lëviznin të dyshuarit.
Ndërkohë, është identifikuar edhe bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Korçë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.