Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kaliforninë, ku të shtënat me armë zjarri brenda një qendre tregtare kanë shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:30 me orën lokale, në dyqanin “Spirit Halloween”, që ndodhet brenda qendrës tregtare Solano Town Center, në qytetin Fairfield.

Shefi i policisë lokale, Dan Marshall, konfirmoi se një person humbi jetën në vendngjarje, ndërsa gjashtë të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitaleve të zonës për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja shkaktoi panik mes qytetarëve, pasi në momentin e të shtënave dyqani ishte i mbushur me klientë që po bënin blerjet e fundit për festën e Halloween-it. Shumë prej tyre ndodheshin aty për të blerë kostume, dekorime dhe aksesorë festivë.

Dëshmitarët përshkruan momente kaosi, me njerëz që vraponin për të shpëtuar dhe kërkonin vende të sigurta për t’u strehuar.

Një burrë, bashkëshortja e të cilit ndodhej brenda dyqanit në momentin e sulmit, tregoi se ajo kishte dëgjuar rreth shtatë të shtëna me armë zjarri.

Sipas rrëfimit të tij, menjëherë pas krismave, klientët nisën të largoheshin të tmerruar, ndërsa në ambientet e qendrës tregtare dëgjoheshin britma dhe të qara.

Një tjetër dëshmitar, i cili ndodhej në restorantin Chipotle pranë vendngjarjes, tregoi se një punonjëse e dyqanit “Spirit Halloween” kishte hyrë me vrap në restorant për t’u mbrojtur.

Sipas tij, e reja u kishte thënë personave të pranishëm se disa njerëz kishin hyrë në dyqan dhe kishin nisur të qëllonin.

Ndërkohë, autoritetet amerikane po punojnë për të zbardhur rrethanat e sulmit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Deri më tani, policia nuk ka bërë publike identitetet apo moshat e viktimës dhe të plagosurve. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse sulmi është kryer nga një person i vetëm apo nga disa autorë.

Motivet e ngjarjes nuk janë përcaktuar ende, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të të shtënave.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin lokal, veçanërisht për faktin se ndodhi në një ambient tregtar të frekuentuar nga familje dhe fëmijë, vetëm pak orë përpara festimeve të Halloween-it.