Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në ditën e 19-të të protestës së sotme të studentëve në Tiranë, në mbështetje të të cilëve sot është edhe Partia Demokratike.
A2CNN raporton se forcat e policisë janë dislokuar në pjesën e pasme të godinës, ndërsa në gatishmëri janë edhe autobotët me ujë me presion dhe efektivët e ndërhyrjes së shpejtë me pajisje speciale.
Sipas tij për masat e sigurisë janë angazhuar forcat Shqiponja, FNSH, efektivë të komisariateve të kryeqytetit, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e tubimit.
Për monitorimin e protestuesve do të përdoren dronë dhe kamera sigurie me rezolucion të lartë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje ligjore.
Protesta e sotme zhvillohet nën zbatimin e aktit të ri normativ për tubimet, i cili parashikon kompetenca shtesë për policinë, si dhe sanksione administrative për shkelësit. Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes, përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimin e fytyrës.
Protesta e sotme shënon tubimin e dytë kombëtar të PD-së që prej nisjes së revoltës studentore.
Studentët kanë njoftuar se këtë të shtunë do të mblidhen në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa në mbështetje të tyre do të jetë edhe Partia Demokratike.
Në mbështetje të studentëve pritet të jenë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar kërkesave të të rinjve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të premten ftoi anëtarët, mbështetësit e partisë dhe qytetarët nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës kombëtare të së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të protestës studentore.
Studentët kanë njoftuar gjithashtu se në orën 14:00 do ta vijojnë protestën para Kryeministrisë.
Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta. Në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.











