
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përshëndetur vendimin e Shteteve të Bashkuara për të miratuar shitjen e 500 raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me vlerë 2.1 miliardë dollarë, por ka paralajmëruar se dërgesat mund të nisin vetëm pas disa vitesh, përcjell Euronews.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të premten miratimin e paketës me raketa përgjuese PAC-3, ndërsa Ukraina vijon përpjekjet për t’u mbrojtur nga sulmet ruse me raketa dhe dronë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky e cilësoi vendimin amerikan si të rëndësishëm, duke theksuar se 500 raketat mund të përbënin një përforcim të ndjeshëm të mbrojtjes ajrore ukrainase gjatë dimrit që po afron.
Megjithatë, ai shprehu shqetësimin për afatet e dorëzimit. Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja parashikon që dërgesat të nisin vetëm pas disa vitesh, ndërsa Kievi ka nevojë për raketat që në muajt e ardhshëm.
“500 raketa përgjuese PAC-3 janë një sasi e konsiderueshme dhe shumë shpejt, këtë dimër, ato mund të përbëjnë një paketë mbrojtëse jashtëzakonisht efektive. Megjithatë, është përcaktuar që dërgesat mund të nisin vetëm pas disa vitesh”, shkroi Zelensky, duke kërkuar nga partnerët amerikanë të gjejnë një zgjidhje për periudhën kur Ukraina përballet me nevojën më të madhe për këto sisteme.
Më herët gjatë javës, Zelensky kishte deklaruar se Kievi po priste prej gati një muaji miratimin nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për një sasi raketash që do të përdoreshin në sistemet Patriot dhe NASAMS.
Nevoja për raketa përgjuese është bërë edhe më urgjente për shkak të afrimit të dimrit. Rusia ka vijuar të godasë infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë periudhave të dimrit, ndërsa rezervat e pakësuara të raketave përgjuese kanë shtuar shqetësimet për intensifikimin e sulmeve.
Zelensky argumentoi se Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe partnerët e tjerë kanë rezerva të mjaftueshme të raketave PAC-3 dhe kërkoi që ato t’i vihen në dispozicion Ukrainës gjatë dimrit 2026–2027. Sipas tij, rezervat e partnerëve mund të plotësohen më vonë, në vitet e ardhshme, përmes prodhimit të raketave që tashmë janë kontraktuar dhe financuar nga Ukraina dhe aleatët e saj.
Sistemi Patriot është një prej sistemeve më të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe përdoret për të përballuar kërcënime të ndryshme, përfshirë avionët dhe raketat balistike.
Ukraina siguron pjesën më të madhe të sistemeve Patriot përmes nismës së NATO-s, PURL, e cila lehtëson blerjen e pajisjeve ushtarake dhe municioneve amerikane nga aleatët dhe partnerët për t’ia dërguar Kievit. Deri në qershor 2026, vendet aleate kishin zotuar mbi 6 miliardë dollarë për pajisje mbrojtëse për Ukrainën përmes kësaj skeme.