Protesta studentore në Tiranë, studentët dhe pedagogët mblidhen para Ministrisë së Arsimit
Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve vijon këtë të shtunë (31 tetor) në Tiranë, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara nisjes së çdo procesi negociues. Ndërkohë, kreu i qeverisë ka përsëritur edhe sot ftesën për dialog, përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas raportimit të RTSH, situata para Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë, ndërsa protestuesit pritet të ndahen në dy grupe.
“Situata është e qetë për momentin. Në orën 12:00 studentët dhe pedagogët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve do të mblidhen para Kryeministrisë. Bëhet fjalë që kjo pjesë do të mblidhet në orën 14:00”, u shpreh gazetarja.
Numri i protestuesve në nisje të tubimit është i ulët. Mes tyre janë parë edhe persona të maskuar. Në zonë ndodhen gjithashtu vullnetarë të gatshëm për të ofruar ndihmën e parë në rast nevoje.
Masa janë marrë edhe pranë Kryeministrisë. Në bulevardin përballë godinës qeveritare nuk ka një prani të shtuar të efektivëve, pasi pjesa më e madhe e forcave të policisë është grumbulluar në pjesën e pasme të Kryeministrisë.
Një numër i vogël efektivësh qëndrojnë pranë autobotëve të stacionuar pas godinës.
Në planin e masave të Policisë së Shtetit janë përfshirë edhe institucionet e tjera dhe ministritë që ndodhen në zonën mes Rrugës së Durrësit dhe Ministrisë së Brendshme.
Aktualisht në bulevard qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.











