Transformimi digjital, Rama: Shërbimet e e-Albania, tashmë më pranë qytetarëve

Aktualitet | 2 orë më parë

Shërbimet publike në e-Albania hyjnë në një fazë të re zhvillimi teknologjik, përmes versionit 4.0 të Diellës, e cila mundëson një mënyrë të re dhe më të thjeshtë komunikimi të qytetarëve me administratën publike.

Risia kryesore e këtij versioni është mundësia për të komunikuar drejtpërdrejt me Diellën, përmes gjuhës së natyrshme, njësoj si në një bisedë të zakonshme. Qytetarët nuk kanë më nevojë të kërkojnë vetë shërbimin përkatës, të ndjekin hap pas hapi procedurat apo të plotësojnë manualisht formularët. Mjafton të shprehin kërkesën e tyre dhe Diella orienton, hap shërbimin përkatës dhe kryen veprimet e nevojshme deri në përgatitjen e dokumentit të kërkuar.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një bisedë me Drejtorin e Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t, Enio Kaso, gjatë së cilës u prezantuan në praktikë funksionalitetet e reja të Diellës 4.0 në platformën e-Albania.

“Pra tani jemi në fazën që kemi premtuar që Diella kalon në një pozicion shumë aktiv dhe i bën vetë gati gjërat, ndërkohë që mjafton kërkesa dhe të presësh pak minuta, maksimumi pak minuta, që të vijë gjithë shërbimi.” – u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë demonstrimit, u shpjegua se Diella tashmë funksionon si një agjent digjital, i cili jo vetëm orienton qytetarët drejt shërbimit përkatës, por mund të kryejë vetë veprimet e nevojshme, të plotësojë formularët dhe të vijojë procedurën deri në gjenerimin e dokumentit.

Aplikacioni  ofron edhe lehtësi të veçanta për pensionistët. Në versionin e ri, 19 shërbime të përdorura prej tyre mund të gjenerohen vetëm me një komandë zanore, pa pasur nevojë për pyetje apo përgjigje shtesë, ndërsa për shërbimet e tjera Diella kërkon vetëm informacionet plotësuese që nevojiten.

“Diella është vetëm një klik larg, kurse 19 shërbime gjenerohen vetëm me një komandë zanore, pa asnjë lloj pyetje apo përgjigje.”- shpjegoi Drejtori për inteligjencën Artificiale Enio Kaso.

Një tjetër funksionalitet i prezantuar, ishte identifikimi përmes njohjes së fytyrës (Face ID), i cili thjeshton hyrjen në aplikacion dhe shmang vendosjen e përsëritur të emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimit. Pas regjistrimit fillestar dhe aktivizimit të këtij opsioni, përdoruesi mund të hyjë në aplikacion përmes identifikimit biometrik.

Në përfundim të demonstrimit, Kryeministri theksoi se prezantimi i versionit të ri të Diellës shënon kalimin drejt një mënyre më aktive të ofrimit të shërbimeve publike, ku qytetari shpreh kërkesën dhe asistenti digjital kujdeset për realizimin e saj.

“Prezantohuni me fuqitë e reja të Diellës, shkarkoni aplikacionin dhe e keni e-Albanian totalisht në shërbimin tuaj, jo thjesht përmes gjithë hapave që ju ndiqni deri tani, por me një komandë të thjeshtë; ‘’Diella më bëj shërbimin’’ edhe në pritje aty, duke dëgjuar muzikë, duke biseduar me kë jeni rreth e rrotull, Diella punon edhe ju keni shërbimin.” – u shpreh Kryeministri.

Përmes versionit 4.0, Diella synon ta bëjë komunikimin e qytetarëve me administratën më të thjeshtë, më të drejtpërdrejtë dhe më pak të varur nga ndjekja manuale e procedurave, duke sjellë një përvojë të re në marrjen e shërbimeve publike digjitale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme