
Teksa pritet të nisë protesta kombëtare e studentëve në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e tubimit. Në kuadër të këtyre masave, pranë Kryesisë së Kuvendit është pozicionuar edhe autoboti i ujit.
Studentët, të cilët prej tre javësh vijojnë protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë. Për tubimin e sotëm, ata pritet të mblidhen pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa kanë paralajmëruar se do të vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, në mbështetje të protestës studentore, opozita pritet të zhvillojë një tubim para Kryeministrisë. Kështu, protesta e sotme pritet të shoqërohet me një tjetër mobilizim kundër qeverisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse studentët do të marshojnë drejt institucioneve të tjera dhe si do të vijojë situata gjatë tubimit.