Zegjine Çaushi: ‘Rrufeja’ shumë shpejt në fushën e Rroskovecit
Deputetja socialiste Zegjine Çaushi duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga surprizat në komunikimin publik. Këtë herë, larg foltores së Kuvendit, ajo ka zgjedhur të shfaqet në një fushë sportive në Roskovec, ku ka njoftuar për investimet që po kryhen në bashkëpunim me bashkinë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Në një publikim në rrjetet sociale, Çaushi ka dhënë lajmin për përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke e lidhur projektin edhe me rikthimin e ekipit të futbollit “Rrufeja”. Sipas saj, investimi do të krijojë kushte më të mira për sportin dhe do të rikthejë traditën e pasionin për futbollin në qytet.
Deri këtu, gjithçka duket si një njoftim i zakonshëm për një investim vendor. Por, kur bëhet fjalë për Zegjine Çaushin, publiku tashmë është mësuar që çdo dalje e saj të shoqërohet me një dozë të veçantë kurioziteti.
Nga “3 mijë e 700 mijë” te “rezervuri” dhe “financiori”
Kjo nuk është hera e parë që emri i deputetes socialiste bëhet objekt diskutimi për mënyrën se si shprehet në publik. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2025, disa prej daljeve të saj në Kuvend u kthyen në video virale, për shkak të ngatërrimit të shifrave dhe termave gjatë fjalimeve.
Një prej momenteve më të komentuara ishte deklarata për rritjen e pagës minimale, kur Çaushi ngatërroi shifrat duke shqiptuar formulimin tashmë të famshëm: “3 mijë e 700 mijë e 800 e 5 punonjës”. Në një tjetër seancë, gjatë diskutimit për buxhetin, vëmendjen e morën termat “rezervuri” dhe “dokument financior”.
Pas kritikave dhe ironive në rrjetet sociale, deputetja reagoi duke deklaruar se nuk është robot dhe se rëndësi kanë puna dhe përmbajtja, jo gabimet e vogla gjatë të folurit.
Duket se publiku duhet të presë edhe më shumë se një korrigjim gjuhësor për të ndjekur me vëmendje daljet e saj.
Fusha e re, merita politike dhe një ekip që pret rikthimin
Por përtej humorit që shkaktojnë publikimet e deputetes, investimi në infrastrukturën sportive të Roskovecit meriton vëmendje më vete.
Të dhënat e prokurimit publik tregojnë se Bashkia Roskovec ka zhvilluar një procedurë për ndërtimin e fushës sportive, konkretisht fazën e parë të punimeve për bazamentin e fushës së futbollit. Procedura u publikua në mars 2025, ndërsa kontrata u nënshkrua më 5 maj të po atij viti. Vlera e kontratës, përfshirë TVSH-në, rezulton 16.570.619 lekë, me financim nga të ardhurat e bashkisë.
Në postimin e saj të fundit, Çaushi e lidh projektin edhe me FSHF-në dhe ringritjen e ekipit “Rrufeja”, duke e paraqitur investimin si një mundësi për rikthimin e traditës sportive të qytetit.
Megjithatë, një pyetje mbetet: a do të jetë ringritja e futbollit në Roskovec po aq e suksesshme sa promovimi i tij në rrjetet sociale?
Për momentin, deputetja duket se ka gjetur një fushë të re ku mund të shënojë: atë të publikimeve politike. Mbetet të shihet nëse këtë herë do të ketë gola në fushë dhe jo vetëm gola për komentet në Facebook.
Sepse Roskoveci ka nevojë për një fushë futbolli funksionale, një ekip konkurrues dhe investime që maten me rezultate, jo thjesht me fotografi për rrjetet sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




