Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në Shtetet e Bashkuara ka pezulluar vendimin që detyronte administratën amerikane të rihapte regjistrimet për Lotarinë Amerikane të vitit 2027, duke i dhënë mundësi qeverisë së Donald Trump të mbajë të bllokuar procesin e aplikimeve për Green Card.
Sipas Newsweek, një trupë gjyqtarësh pranoi kërkesën urgjente të qeverisë amerikane për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar Departamentin e Shtetit të hapte regjistrimet për programin përpara datës 1 nëntor.
Gjykata e apelit vlerësoi se pala që kishte ngritur padinë nuk kishte argumentuar mjaftueshëm se kishte të drejtën ligjore për të kundërshtuar pezullimin e programit. Për rrjedhojë, urdhri për rihapjen e aplikimeve mbetet i pezulluar gjatë shqyrtimit të mëtejshëm të ankimit.
Megjithatë, vendimi nuk përbën anulim përfundimtar të Lotarisë Amerikane. Çështja mbetet ende në shqyrtim dhe deri tani nuk është njoftuar një datë e re për nisjen e regjistrimeve për vitin 2027.
Programi i Vizave të Diversitetit parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave çdo vit për qytetarët e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.


