Protesta/Digjen koshat e mbeturinave te Ministria e Arsimit, refuzohen deputetët e PD
Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit nuk kanë mirëpritur pjesëmarrësit e protestës së Partisë Demokratike dhe nuk kanë lejuar bashkimin e tyre me protestën studentore.
Situata është tensionuar, pasi protestuesit kanë ndezur tymuese blu dhe të kuqe, ndërsa kanë djegur kartonë dhe kosha mbeturinash në rrugën përpara Ministrisë së Arsimit.
Në Tiranë po zhvillohen këtë të shtunë, 31 tetor, dy protesta kombëtare: njëra e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë para Ministrisë së Arsimit, dhe tjetra e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Protesta studentore vijon prej 19 ditësh, ndërsa pjesëmarrësit kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre përpara nisjes së negociatave.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka organizuar protestën e saj të dytë kombëtare, në mbështetje të studentëve, me protestuesit që pritet të marshojnë drejt bulevardit.
Sipas raportimeve nga terreni, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, studentët nuk kanë pranuar që protestuesit e PD-së t’u bashkohen në protestën para Ministrisë së Arsimit.
“Situata është e qetë për momentin. Në orën 12:00 studentët dhe pedagogët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve do të mblidhen para Kryeministrisë. Bëhet fjalë që kjo pjesë do të mblidhet në orën 14:00”, u shpreh gazetarja.
Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga selia e Partisë Demokratike, gazetarja Anisa Kadesha raportoi se kjo forcë politike ka thirrur protestën e dytë kombëtare në mbështetje të studentëve, të cilët shënojnë ditën e 19-të të protestës së tyre.
Sipas gazetares, PD do të angazhohet në mbrojtje të kauzës së saj, duke marshuar drejt bulevardit. Gjithashtu, pritet që protestuesit e Partisë Demokratike t’i bashkohen protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit.
“Partia Demokratike ka thirrur protestën e dytë kombëtare sot, në mbështetje të protestës studentore, e cila shënon dhe ditën e 19-të të saj. Sipas PD-së, kjo forcë politike do të angazhohet në mbrojtje të kauzës së saj, duke marshuar drejt bulevardit. Pritet që protestuesit e PD-së t’i bashkohen edhe protestës studentore te Ministria e Arsimit”, u shpreh gazetarja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




