Protesta dhe përplasje me policinë kanë përfshirë Poloninë pas pezullimit për një muaj të presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkoëski, dhe zëvendësit të tij.
Vendimi, i marrë nga gjyqtarja Anna Korëin-Piotroëska, ka nxitur reagimin e opozitës konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila qeverisi vendin nga viti 2015 deri në vitin 2023. Kryeministri Donald Tusk e mbështeti pezullimin, duke e cilësuar pjesë të përpjekjeve për rikthimin e shtetit të së drejtës.
Të premten në mbrëmje, qindra mbështetës të partisë me te madhe opozitare Ligj dhe Drejtësi PiS u mblodhën jashtë Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, ku policia dislokoi forca të shumta pas paralajmërimeve për kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe punonjësve. Tre persona u ndaluan pasi disa protestues kaluan gardhin rrethues dhe hodhën sende në drejtim të policisë. Demonstruesit brohoritën kundër Tuskut, ndërsa llogaria zyrtare e gjykatës në rrjetin X e cilësoi pezullimin si një “grusht shteti”.
Śëięczkoëski, i emëruar gjatë qeverisjes së PiS, është në qendër të konfliktit për shkak të refuzimit për të lejuar gjyqtarët e rinj të zgjedhur nga parlamenti të marrin detyrën. Në mars 2026, parlamenti zgjodhi gjashtë gjyqtarë të rinj, por presidenti Karol Naërocki, aleat i PiS, pranoi të organizonte betimin vetëm për dy prej tyre. Katër të tjerët u betuan në parlament, duke argumentuar se presidenti nuk mund të bllokojë emërimet e miratuara nga legjislativi. Śëięczkoëski, megjithatë, refuzoi t’i njihte këto betime dhe t’i lejonte të ushtronin funksionet.
Kryeministri Tusk deklaroi në X se rikthimi i shtetit të së drejtës është detyrim i qeverisë. Sipas tij, pas viteve të shkeljeve të rendit ligjor gjatë qeverisjes së PiS, nevojiten masa vendimtare për të rivendosur funksionimin kushtetues të institucioneve.
Kriza aktuale lidhet me përplasjen e gjatë mbi reformat në drejtësi të ndërmarra nga PiS gjatë tetë viteve në pushtet. Qeveria e atëhershme ndryshoi mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, përbërjen e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit dhe procedurat disiplinore, duke rritur ndikimin e parlamentit në përzgjedhjen e anëtarëve të këtij këshilli. Këto ndryshime u kritikuan nga institucionet evropiane, të cilat ngritën shqetësime për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndikimin politik mbi gjykatat.
Kriza u thellua në vitin 2015, kur qeveria e PiS ndërhyri në emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke shkaktuar një përplasje institucionale. Në vitin 2017, Komisioni Evropian nisi procedurën kundër Polonisë sipas nenit 7 të Traktatit të BE-së, ndërsa Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian kërkoi ndryshime në dispozita që cenonin pavarësinë e gjyqtarëve. Polonia u përball gjithashtu me gjoba financiare për moszbatimin e vendimeve evropiane.
Pas ardhjes në pushtet në dhjetor 2023, koalicioni i Tuskut premtoi të zhbënte pjesë të këtyre reformave dhe të garantonte pavarësinë e drejtësisë nga ndikimi politik. Në maj 2024, Komisioni Evropian mbylli procedurën e nenit 7, pasi vlerësoi se qeveria e re kishte ndërmarrë hapa për adresimin e shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës. Megjithatë, përplasjet mbi emërimet dhe funksionimin e institucioneve gjyqësore vazhduan.
Presidenti Naërocki ndërpreu udhëtimin zyrtar drejt Senegalit dhe u kthye në Poloni pas zhvillimeve në gjykatë, duke deklaruar se në një moment të tillë duhej të ishte në vend. Ndërkohë, kreu i I partisë opozitare, Jarosłaë Kaczyński, dhe përfaqësues të tjerë të opozitës iu bashkuan protestuesve dhe po punojnë për organizmin e mëtejshëm të tyre, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje të paligjshme në rendin kushtetues.











