E shtunë, 31 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:10 Në vijim ora 13:10: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama prezanton risitë e e-Albania, Diella do të ofrojë deri në 19 shërbime, identifikim përmes syve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë, përmes një komunikimi live në rrjetet sociale, risitë e platformës e-Albania dhe zhvillimet e reja që pritet të sjellë asistenti virtual Diella.

Sipas Ramës, Diella do të mundësojë ofrimin e deri në 19 shërbimeve, duke synuar shkurtimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. Një tjetër risi e prezantuar është identifikimi përmes syve, i cili pritet të thjeshtojë ndërveprimin e përdoruesve me platformën.

Reklamë

Kreu i qeverisë u ndal veçanërisht te shërbimet për pensionistët, duke theksuar se përmes një komande të thjeshtë, ata do të mund të aksesojnë shërbimet e nevojshme përmes Diellës.

“Diella kalon në një pozicion shumë aktiv, i bën gjërat më shpejt dhe duhet të presësh vetëm pak minuta që të vijë i gjithë shërbimi. Kemi një komponent shumë të rëndësishëm në e-Albania 4.0 që ka të bëjë me pensionistët. Diella është vetëm një klik larg dhe gjeneron deri në 19 shërbime”, u shpreh Rama.

Reklamë

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e identifikimit përmes syve, ndërsa paralajmëroi se në vijim do të prezantohen edhe risi të tjera.

“Është shumë i rëndësishëm edhe identifikimi me sy, që lehtëson shumë ndërveprimin me e-Albania. Ka edhe surpriza të tjera në vijim. Sot ramë dakord t’u themi të gjithëve që të njihen me fuqitë e reja të Diellës dhe ta kenë e-Albanian në dispozicion me vetëm një komandë të thjeshtë, ndërsa Diella kryen të gjithë shërbimin”, deklaroi kryeministri.

Sipas prezantimit të qeverisë, këto zhvillime synojnë modernizimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta e më të aksesueshme për qytetarët.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.