Rreth 1 mijë banorë të njësisë administrative Zapod në Kukës përballen me vështirësi të mëdha për të lëvizur për shkak të një rruge prej 6 kilometrash që lidh fshatin Orgjost me qytetin e Kukësit. Aksi, i paasfaltuar dhe i mbushur me gropa e baltë, është në gjendje aq të rënduar sa, sipas banorëve, në të nuk mund të hyjë as ambulanca për të transportuar të sëmurët në rastet urgjente.
Shqetësimi është veçanërisht i madh për familjet që kanë nevojë të udhëtojnë drejt qytetit për shërbime shëndetësore, por edhe për nxënësit që duhet të shkojnë në shkollë. Banorët thonë se në disa segmente qarkullimi është pothuajse i pamundur, si në këmbë, ashtu edhe me automjete.
Një prej shoferëve që kryen prej 30 vitesh transportin në linjën Orgjost–Kukës tregon se gjendja e rrugës është përkeqësuar deri në atë pikë sa edhe ndërhyrjet për mirëmbajtjen e saj janë të vështira.
“Unë jam një nga shoferët e furgonëve që prej 30 vitesh kryej transportin në linjën Orgjost–Kukës dhe anasjelltas. Dua të ngre shqetësimin për gjendjen katastrofike të rrugës, e cila është rreth 6 km e gjatë, nga rruga e Tropojanit deri në Orgjost. Rruga është e mbushur me gropa dhe në gjendje shumë të keqe, aq sa nuk mund të hyjë as fadroma për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, shprehet ai.
Shoferi kërkon që Njësia Administrative Zapod të caktojë një person përgjegjës për mirëmbajtjen e aksit, të mbushen gropat dhe të riparohen muret anësore. Ai kujton se kanë pasur raste kur është dashur të transportojnë persona të sëmurë drejt Kukësit, por gjendja e rrugës ua ka vështirësuar ndjeshëm udhëtimin.
Edhe banorët thonë se i janë drejtuar disa herë Bashkisë së Kukësit dhe njësisë administrative për zgjidhjen e problemit, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete.
“Rruga është në gjendje të mjerueshme. Nuk kalohet as në këmbë dhe as me makinë, pasi është e mbushur vetëm me gropa. Në këto kushte, qarkullimi është bërë pothuajse i pamundur. Pasojat janë të shumta, sidomos në aspektin shëndetësor. Banorët nuk mund të lëvizin lirshëm, nuk kanë mundësi të përdorin makinat e tyre dhe as fëmijët nuk mund të shkojnë normalisht në shkollë. Në këtë rrugë nuk mund të hyjë as ambulanca, duke vënë në vështirësi jetën dhe shëndetin e banorëve në raste urgjente”, shprehet një prej tyre.
Me afrimin e dimrit, frika e banorëve është se rruga do të bëhet edhe më e vështirë për t’u përshkuar. Reshjet e shiut e kthejnë baltën dhe gropat në pengesë për qarkullimin, ndërsa akulli mund ta bëjë aksin të pakalueshëm. Një banor tregon se në disa raste u është dashur të vendosin deri në katër palë zinxhirë për të mundur të kalojnë.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura për ndërhyrje dhe asfaltim, banorët e Zapodit thonë se ende nuk kanë marrë një përgjigje pozitive. Ata kërkojnë që rruga të rregullohet përpara përkeqësimit të kushteve të motit, në mënyrë që të mos mbeten të shkëputur nga qyteti gjatë muajve të dimrit.


