Konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria arrestimi i drejtorit të Spitalit të Mitrovicës

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i cili ka bërë të ditur se gruaja ka raportuar dhunë psikike të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk jeton prej disa muajsh.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka deklaruar Pllana për Telegrafin.
Ndërkaq, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për Telegrafin se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka thënë Shala.
Ajo ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Ndërkaq, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhë e njëjta gjë si Arlinda Zekajt.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Para vrasjes, ajo kishte raportuar ish-bashkëshortin, Jeton Sylaj, për dhunë në familje. /Telegrafi/








































