Një muaj pas tentativës së dështuar për ekzekutimin e saj, Christa Pike ka folur për herë të parë publikisht për atë që përjetoi në dhomën e ekzekutimit në Tennessee. E dënuara me vdekje në SHBA thotë se që prej asaj nate vuan dhimbje të vazhdueshme fizike dhe emocionale, ndërsa ende përpiqet të rikuperohet nga pasojat e procedurës.
Pike, 50 vjeçe, tregoi se më 30 shtator kishte hyrë në dhomën e ekzekutimit duke besuar se do të vdiste. Ajo ishte përshëndetur paraprakisht me njerëzit e saj të afërt, por disa ditë më vonë u zgjua e vetme dhe e hutuar në një dhomë spitali.
“Nuk ka pasur asnjë moment që nga ajo natë kur të mos kem ndier dhimbje. Më dhemb trupi, krahët, duart dhe fyti. Ende e kam të vështirë të flas. Dhe dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje edhe në mendjen dhe shpirtin tim”, deklaroi ajo në një mesazh të përcjellë përmes avokatëve të saj.
Gjatë procedurës, Pike mori dy doza pentobarbitali, ilaçi që përdoret në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës, por nuk vdiq. Pas incidentit, ajo u transportua me urgjencë në spital, ku qëndroi në gjendje të rëndë, pa vetëdije dhe nën kujdesin e aparaturave për frymëmarrje.
Sipas avokatëve të saj, gjatë procedurës ajo pësoi dëmtime të konsiderueshme në të dy krahët. Ekspertët dyshojnë se ilaçi mund të ketë depërtuar në indet përreth, në vend që të hynte në qarkullimin e gjakut, për shkak të problemeve me vendosjen e linjës intravenoze.
Në deklaratën e saj, Pike foli edhe për pasojat që ngjarja ka pasur te njerëzit e përfshirë, duke shprehur keqardhje për familjen e viktimës.
“Jam thellësisht e lënduar nga paaftësia që i ka vendosur kaq shumë njerëz në këtë situatë të tmerrshme. Vazhdoj të mendoj për familjen e viktimës sime dhe dhimbjen e madhe që ka përjetuar”, tha ajo.
Ajo falënderoi mjekët, infermierët dhe personelin që u kujdesën për të, si dhe të gjithë ata që i kanë ofruar mbështetje pas incidentit. Megjithatë, pranoi se ende nuk e di se çfarë e pret në të ardhmen.
“Nuk e di pse mbijetova atë natë. Nuk e di se çfarë më pret më pas. Disa ditë është më e vështirë se të tjerat të gjesh shpresë. Për momentin, po përpiqem të shërohem, një ditë pas tjetrës”, u shpreh ajo.
Christa Pike u dënua me vdekje në vitin 1995 për torturimin dhe vrasjen e Colleen Slemmer, 19 vjeçe. Në kohën e krimit, Pike ishte 18 vjeçe. Sipas dosjes gjyqësore, ajo dhe i dashuri i saj e torturuan dhe e vranë Slemmerin në një zonë të pyllëzuar të kampusit të Universitetit të Tennessee.
Pike konsiderohet personi i parë në Shtetet e Bashkuara që ka mbijetuar pasi iu administrua ilaçi vdekjeprurës gjatë një procedure ekzekutimi. Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, urdhëroi një hetim për rastin dhe pezulloi ekzekutimin tjetër të planifikuar në këtë shtet gjatë vitit 2026.
Ndërkohë, avokatët e saj kanë kërkuar që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm.

