31 persona të pandehur në gjendje të lirë dhe vetëm njëri prej tyre në burg. Ky është bilanci i dosjes hetimore që përfshin 12 procedura tenderimi dhe një listë të gjatë zyrtarësh e biznesmenësh, të cilët akuzohen nga prokurori Dritan Prençi për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Në krye të dosjes është ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ndërsa SPAK ka nisur komunikimin e mbylljes së hetimeve për të pandehurit, në listë, përveç Ballukut, janë edhe ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, ish-drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho, si dhe një numër biznesmenësh, mes tyre Ram Geci, Artan Sako, Pandeli Carapuli dhe Paqsor Buzi.
Megjithëse akuzat përfshijnë disa vepra penale dhe lidhen me procedura të rëndësishme prokurimi publik, në burg ndodhet vetëm ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Ai ishte ndër personat e parë të arrestuar nga SPAK dhe nga komunikimet e zbuluara në telefonin e tij hetuesit identifikuan biseda me Ballukun, si dhe elementë të tjerë që çuan në zgjerimin e hetimeve për tenderët.
Në fokus të dosjes janë disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, përfshirë Tunelin e Llogarasë, Unazën e Jashtme të Tiranës dhe disa prej loteve të saj, godinën e Albcontrol, si dhe ndërtimin e dy loteve të aksit rrugor të Porto Romanos.
Përveç Ballukut, në dosje janë përfshirë edhe disa prej vartësve të saj në pozicione drejtuese, mes tyre Ergys Verdho dhe dy ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli. Ky i fundit u paraqit të premten në SPAK, ku u njoh me akuzën që lidhet me dyshimet për përfshirjen e tij në procedurat e tenderimit.
Lista përfshin gjithashtu zyrtarë të tjerë të ministrisë dhe institucioneve në varësi të saj, si dhe biznesmenë që dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të parregullt nga kontratat publike.
Një rast i veçantë në këtë dosje është ai i ndërtuesit Pandeli Carapuli, ndaj të cilit nuk rëndon akuza për korrupsion aktiv, pasi kjo vepër penale është parashkruar. Ai dhe kompania e tij janë nën akuzë për pastrim parash, në lidhje me vilën e Belinda Ballukut në Dhërmi, e cila është sekuestruar nga SPAK.
Pjesë e listës së të pandehurve janë edhe dy persona juridikë, shoqëritë “Eurocol” dhe “Alko Impex General Construction”.
Sipas të dhënave të dosjes, 31 të pandehurit dhe akuzat përkatëse janë:
- Belinda Balluku – Shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
- Pandeli Carapuli – Pastrim parash.
- Igli Tare – Pastrim parash në 2 raste.
- Joana Bushi – Pastrim parash.
- Arbër Abazi – Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh.
- Alko Impex General Construction – Korrupsion aktiv.
- Viola Haxhiademi – Shpërdorim detyre.
- Ergys Verdho – Shpërdorim detyre.
- Adja Strazimiri – Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera.
- Anila Sulollari – Shpërdorim detyre.
- Paqsor Buzi – Falsifikim dokumentesh.
- Artan Sako – Falsifikim dokumentesh.
- Ram Geci – Falsifikim dokumentesh.
- Eurocol sh.p.k. – Pastrim parash.
- Evis Berberi – Shkelje në 9 tendera.
- Gentian Gjyli – Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre.
- Erald Elezi – Shkelje në 3 tendera.
- Jetmira Dervishi – Shkelje në tendera.
- Mirzeta Kashnica – Shkelje në tendera.
- Jonida Çeçe – Shkelje në 3 tendera.
- Adrian Kroi – Shkelje në 4 tendera dhe shpërdorim detyre.
- Denis Xhoshi – Shkelje në 3 tendera.
- Klarita Konomi – Shkelje në 1 tender.
- Miranda Shkurti – Shkelje në 8 tendera.
- Genti Raça – Shkelje në 5 tendera dhe shpërdorim detyre.
- Eduart Agalliu – Shkelje në 1 tender.
- Arbër Troka – Shkelje në 2 tendera.
- Dhurata Lazaj – Shkelje në 3 tendera.
- Nikollaq Mihali – Shkelje në 3 tendera.
- Gëzim Noni – Shkelje në 3 tendera.
- Arlinda Gordani – Shkelje në 4 tendera.
Të gjithë personat e përfshirë në dosje prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.




