NATO prezanton teknologjitë e reja për luftë

NATO teston teknologjitë e reja të luftës, demonstron për herë të parë koordinimin e tufave të dronëve.
NATO ka demonstruar për herë të parë funksionimin e koordinuar të tufave të dronëve duke përdorur teknologjinë 5G, inteligjencën artificiale dhe sistemet digjitale për shkëmbimin e të dhënave.
Demonstrimi u zhvillua në bazën ushtarake Adazi në Letoni, në kuadër të programit të NATO-s për eksperimentimin me infrastrukturën digjitale (DiBaX), i cili u mbajt nga 19 deri më 30 tetor.
Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s për Transformim, admirali Pierre Vandier, deklaroi se teknologjitë e reja mundësojnë integrimin e informacionit dhe marrjen e vendimeve më të shpejta në fushëbetejë.
Ndërkaq, komandanti i Ushtrisë së Letonisë, Kaspars Pudāns, theksoi se këto zhvillime duhet të kalojnë nga faza e testimit në zbatimin e tyre në operacione reale.
Programi DiBaX synon krijimin e një infrastrukture të përbashkët digjitale, e cila do t'u mundësojë forcave të armatosura të vendeve anëtare të NATO-s të shkëmbejnë të dhëna dhe të koordinojnë operacionet e përbashkëta. /Telegrafi/







































