“Opozita jemi ne!” Studentët përplasen me PD-në: Si u shitët gjithë këto vite?
Përplasjet në protestën e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit kanë vijuar edhe pas mbërritjes së përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Protestuesit që ndodheshin në shesh që prej nisjes së tubimit kanë kundërshtuar përfshirjen e deputetëve dhe simpatizantëve të opozitës, duke u bërë të qartë se nuk e konsiderojnë PD-në përfaqësuese të kauzës së tyre.
Të pakënaqur nga afrimi i demokratëve, studentët dhe protestuesit kanë drejtuar thirrje të ashpra ndaj tyre, duke vënë në pikëpyetje rolin e opozitës gjatë viteve të fundit.
“Si u shite gjithë këto vite, Partia Demokratike?” dhe “Opozita jemi ne”, ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë përplasjes.
Nga ana tjetër, një prej përfaqësueseve të Partisë Demokratike ka kundërshtuar qëndrimin e protestuesve, duke argumentuar se tubimi ka nevojë edhe për mbështetjen e opozitës.
Përplasja nxjerr në pah përçarjen mes një pjese të studentëve, të cilët kërkojnë që protesta të ruajë karakterin e saj të pavarur, dhe përfaqësuesve politikë që synojnë t’i bashkohen kauzës së tyre.
Në këtë mënyrë, protesta përpara Ministrisë së Arsimit po shoqërohet jo vetëm me kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe me një përplasje të drejtpërdrejtë për atë se kush ka të drejtën të flasë në emër të opozitës dhe të qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



