• Kontakt
Saturday, October 31, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Siguria e digave, në ping-pongun institucional

Digat dhe liqenet e Tiranës përballen me defekte, ndotje dhe monitorim të mangët. Nga Liqeni Artificial në Bovillë, Farkë e Tufinë, auditimet dokumentojnë probleme, ndërsa institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Afatet për ndërhyrje kanë kaluar, por mbetet e paqartë çfarë është riparuar dhe çfarë garancish ofrohen për sigurinë e qytetarëve.

14:36 : 31/10/2026
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Më 9 tetor 1963, 60 milionë metra kub shkëmb u shkëputën nga maja e Monte Toc, në kufirin mes Venetos dhe Friuli Venezia Giulia. Masa e madhe shkëmbore ra në rezervuarin e Digës së Vajontit, duke krijuar një valë gjigante me të paktën 50 milionë metra kub ujë.

Diga ishte ndërtuar duke përdorur ekspertizën më të avancuar teknike të kohës, por ajo u projektua dhe u ndërtua pa marrë parasysh siç duhej raportet gjeologjike, problemet e mundshme tektonike, njohuritë lokale për territorin dhe paqëndrueshmërinë natyrore të malit Monte Toc.

Në pak orë gati 2.000 personave humbën jetën, rreth një e treta e popullsisë së Longarones, fshati më i madh poshtë digës.

Por siguria e digave nuk përben vetëm ndertimin por edhe mirëmbajtjen. Rezervuarë të amortizuar, sedimente, shkarkues me probleme dhe mungesë planesh emergjence të cilët nuk vlerësohen në kohë, mund të sjellin pasoja shumë të renda.

Në një prej zonave më të frekuentuara të Tiranës, porta e shkarkimit të Digës së Liqenit Artificial ka një defekt të njohur prej rreth 25 vjetësh. Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) i tha ACQJ-së se problemi ishte konstatuar rreth viteve 2000–2001 dhe, në kohën e përgjigjes, nuk ishte zgjidhur.

Lexo edhe:

Mbetjet e rrezikshme te ish-Metalurgjiku, Prokuroria e Elbasanit nis hetimet ndaj “AlbChrome”

Sigal, gjysëm mln euro për sigurimin e dhëmbëve të Vetingas-ve. Shifrat në raportin e KLSH

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i publikuar në vitin 2026, ngre alarmin: portat nuk mundësojnë zbrazjen e shpejtë dhe të kontrolluar të rezervuarit në rast emergjence. Në kohën e auditimit, kapërderdhësi i ujërave të tepërta funksiononte, por nuk e zëvendësonte shkarkimin e kontrolluar. Audituesit gjetën gjithashtu mangësi në monitorimin instrumental të digës.

UKT-së dhe Bashkisë Tiranë iu rekomandua ndërhyrja në shkarkues dhe në sistemet e monitorimit deri më 30 qershor 2026. Afati ka kaluar, por nuk është ende e qartë nëse rekomandimet janë zbatuar. Por problemi fillon që në momentin ku kjo bashki nuk ka një shifër të qartë se sa rezervuare ka nën administrim.

Regjistrat nuk japin të njëjtin numër digash

Edhe në shkallë kombëtare, institucionet japin shifra të ndryshme. Sipas raportit të KLSH-së, Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) numëronte 647 diga, nga të cilat 350 të mëdha dhe 297 të vogla; Plani Kombëtar për Emergjencat Civile listonte 626, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i raportoi audituesve rreth 670. Shifrat u përkasin burimeve dhe periudhave të ndryshme, por tregojnë mungesën e një inventari të harmonizuar.

Inventari i përdorur nga redaksia përmes publikimeve të H2H Foundation identifikon 106 diga dhe rezervuarë në Qarkun e Tiranës: 66 në territorin e Bashkisë Tiranë, 20 në Kavajë, 10 në Rrogozhinë, tetë në Vorë dhe dy në Kamëz. Prej tyre, 97 klasifikohen funksionale, gjashtë jofunksionale dhe tri nuk ekzistojnë më.

Në auditimin e KLSH-së, Bashkia Tiranë deklaroi se kishte në shfrytëzim 46 diga, nga të cilat 38 të mëdha. KKDM listonte për të 59 diga, përfshirë 21 të vogla. Diferenca prej 13 digash të vogla nuk u sqarua plotësisht. Databaza më e detajuar që Ministria e Infrastrukturës kishte trashëguar nga Ministria e Bujqësisë rezultonte e papërditësuar që nga viti 2015. Për krahasim, Atlasi i Digave i H2H Foundation ofron një burim tjetër dhe më të qartë të dhënash.

Megjithatë, përtej inventarit të thjeshtë, për secilën digë nevojitet një inventar i përditësuar që të tregojë administratorin, gjendjen teknike, shkallën e sedimentimit, inspektimet, investimet dhe planet e emergjencës, diçka që pavarësisht kërkesës nga ana e ACQJ, Bahskia Tiranë e pati të pamundur, për sa kohë nuk mun të vinte në dispozicion as inventarin e trupave ujorë nën administrim.

Shumica e rezervuarëve shqiptarë u ndërtuan për ujitje, sidomos gjatë viteve 1960–1990.

Dhimitër Vogli, ish-drejtues i Institutit të Studimit dhe Projektimit të Veprave të Kullimit dhe Ujitjes, thotë se vetëm rreth dhjetë prej këtyre digave janë ndërtuar për prodhimin e energjisë, ndërsa rreth 630 kanë shërbyer kryesisht për bujqësinë.

Sipas tij, ndërtimi i rezervuarëve ishte një nevojë e diktuar nga shpërndarja e reshjeve. Shqipëria ka mesatarisht rreth 1 500 milimetra reshje në vit, por pjesa dërrmuese bie nga nëntori deri në mars ose prill. Gjatë verës, kur kulturat bujqësore kanë nevojën më të madhe për ujë, bie vetëm një pjesë e vogël e reshjeve vjetore.

“Nuk mund të kesh prodhime bujqësore të garantuara nëse nuk ke sisteme ujitjeje për bimët. Kjo bëri që të ndërtoheshin diga për bujqësi”, shpjegon Vogli.

Me transferimin e një pjese të infrastrukturës së ujitjes te bashkitë në vitin 2015, përgjegjësitë e administrimit u shpërndanë ndërmjet nivelit vendor dhe strukturave qendrore. Por transferimi nuk përfshiu automatikisht çdo digë.

Arjan Jovani, ish-kryetar i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha gjatë viteve 2020–2025, vëren se zhvillimi urban poshtë digave është një prej faktorëve që rrit ekspozimin ndaj rrezikut.

“Mosha e madhe e digave, mungesa e monitorimit për një kohë të gjatë, sedimentimi, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi urban e ekonomik poshtë digave kërkojnë një vlerësim të ri dhe të plotë të sigurisë”, thotë ai.

Disa rezervuarë të projektuar për bujqësinë sot përdoren edhe për rekreacion, peshkim ose veprimtari urbane. Farka është një prej tyre: funksionit fillestar i janë shtuar vizitorët dhe zhvillimi i zonave përreth, duke shtuar nevojën për të vlerësuar se kush mund të preket nga një defekt.

“Për të kuptuar nëse ndërtimet poshtë një dige janë në rrezik, duhet një vlerësim ekspertësh në raport me distancën, lartësinë, volumin dhe skenarin e përmbytjes. Por ndërtimet pranë digave janë gjithmonë një problem që duhet marrë seriozisht”, thotë Dhimitër Vogli.

Katër diga me probleme të dokumentuara

Në Digën e Liqenit Artificial, KLSH nuk gjeti pasaportën e plotë teknike dhe as instrumente funksionale për matjen e filtrimeve, deformimeve dhe lëvizjeve të trupit të digës, përveç një matësi manual të nivelit të ujit. Audituesit evidentuan edhe bimësi me rrënjë të thella në skarpata, që mund të pengojë inspektimin dhe të krijojë probleme me filtrimin.

Në Bovillë, nga ku furnizohet me ujë kryeqyteti, instrumentet e monitorimit rezultonin jashtë funksionit. Sipas auditimit, ekipi i UKT-së nuk dispononte të dhëna instrumentale prej më shumë se dhjetë vitesh dhe në digë e poshtë saj mungonte sistemi i alarmit për emergjencat civile. Raporti përmend edhe një çarje të njohur në një masiv shkëmbor rreth 500 metra nga diga, pa masa monitorimi të dokumentuara. Audituesve u ishte përcjellë gjithashtu një vlerësim për mbi 100 mijë banorë potencialisht të ekspozuar në një skenar përmbytjeje; kjo shifër kërkon lexim së bashku me hartën dhe metodologjinë përkatëse.

Në Tufinë, sipas KLSH-së, ishin konstatuar dëmtime serioze në skarpatën e poshtme të digës së ndërtuar në vitin 1965. Bashkia kishte marrë masa për të penguar rritjen e nivelit të ujit, por jo për rehabilitimin e veprës. Audituesit kërkuan rivlerësimin e gjendjes dhe shqyrtimin e nxjerrjes nga përdorimi, nëse diga nuk mund të përmbushte më funksionin e saj. UKT deklaroi se Tufina administrohej nga Bashkia Tiranë.

Në Farkë, auditimi evidentoi një shkarkues fundor jashtë funksionit, dëmtime të betonit në kurorë dhe të fugave në pjesën e sipërme të digës. Në Zelaj të Baldushkut, shkarkuesi fundor rezultonte i bllokuar, megjithëse kapërderdhësi automatik funksiononte. KLSH renditi edhe Kasharin dhe Çekrezën mes digave për të cilat kërkoheshin ndërhyrje urgjente.

Për Farkën, Bashkia kishte aplikuar në vitin 2024 për një projekt rikonstruksioni që figuron me vlerë 19.376.986 lekë në tabelën e fondeve të KLSH-së. Kjo nuk provon vetvetiu realizimin e punimeve: në materialet e shqyrtuara nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për të përcaktuar çfarë është përfunduar e kolauduar.

“Mungesa e mirëmbajtjes është një prej burimeve kryesore të rrezikut. Nëse uji kalon mbi digë, pasojat mund të jenë katastrofike. Po aq problematike janë rrjedhjet në pjesën e poshtme të saj”, thotë Vogli.

Erjon Kalaja, ekspert i fushës, rendit si shenja paralajmëruese çarjet, deformimet, rrjedhjet e pazakonta, erozionin e trupit të digës dhe bllokimin e shkarkuesve.

Shkarkuesi është një prej elementeve më thelbësor. Ai kontrollon nivelin e ujit dhe largon prurjet e tepërta. Nëse bllokohet ose nuk funksionon siç duhet, niveli rritet, shtohet presioni mbi trupin e digës dhe rrezikon tejmbushjen që mund të sjellë rrezik.

Pikërisht për këtë arsye, pranimi i UKT-së se porta e shkarkimit të Digës së Liqenit Artificial ka një problem të pazgjidhur që prej viteve 2000–2001 behet edhe më shqetësuese, menyra se si është administruar rreziku gjatë kësaj periudhe.

Dokumentacion i paplotë, gatishmëri e paqartë

Nga 38 digat e mëdha që Bashkia Tiranë deklaroi se shfrytëzonte, vetëm 27 kishin pasaporta teknike; edhe këto, sipas KLSH-së, kishin mangësi në studimet gjeologjike, hidrologjike e sizmike dhe në vizatimet teknike. Bashkia nuk kishte ngritur grupe të posaçme sigurie për asnjërën prej tyre, ndërsa një plan gatishmërie për emergjencat civile ishte hartuar vetëm për Farkën.

Problemi shfaqet edhe në të dhënat kombëtare: nga 350 diga të mëdha, 179 rezultonin me pasaportë teknike, vetëm 30 kishin grupe formale sigurie dhe kontrolli i plotë dhjetëvjeçar nuk rezultonte i kryer për asnjë.

E pyetur nga ACQJ për Liqenin Artificial, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) tha se UKT nuk kishte raportuar pranë saj plan emergjence për digën. AKMC deklaroi gjithashtu se Bashkia kishte hartuar vlerësimin vendor të riskut, por nuk e dinte nëse dokumenti ishte miratuar nga Këshilli Bashkiak.

Vlerësimi Kombëtar i Riskut nga Fatkeqësitë e rendit Qarkun e Tiranës ndër zonat me risk të lartë të përgjithshëm dhe përshkruan skenarin e një tërmeti të fortë që mund të shkaktojë, mes të tjerash, dëmtime digash dhe përmbytje të shpejta. Ky është një skenar i mundshëm, jo provë e rrezikut të menjëhershëm në një digë të caktuar. Sipas KLSH-së, në kohën e auditimit mungonte edhe një klasifikim i plotë sipas pasojave të mundshme për banorët poshtë digave.

“Në rast dështimi mund të krijohen përmbytje të menjëhershme, të dëmtohen banesa dhe infrastruktura dhe të rrezikohen jetë njerëzish. Në zonat urbane rreziku është shumë më i lartë, sepse ekspozimi i popullsisë është më i madh”, thotë Kalaja.

Rikthehemi edhe një herë më konkretisht tek Diga e Liqenit Artificial i cili është rasti konkret që tregon më qartë se si ndahen kompetencat. E se si institucionet janë në ndara me përgjegjesi të “fragmentuara” që mesa do të shihni më poshtë jo vetëm që nuk “komunikojnë” me njera-tjetren por shmangin përgjegjësitë si një lojë “ping-pongu” me një çështje që lidhet me sigurinë e qytetarëve.

Sedimentet dhe rezervuarët që humbin kapacitet

Përveç gjendjes së trupit të digës, rëndësi ka edhe sedimentimi. Dherat, rëra dhe materialet organike depozitohen gradualisht në fund të rezervuarëve, duke zvogëluar kapacitetin dhe, në raste të caktuara, duke penguar marrjen ose shkarkimin e ujit. Kur mbushet hapësira e parashikuar për depozitimin e sedimenteve, e njohur si “volumi i vdekur”, grumbullimet fillojnë të cenojnë edhe vëllimin e përdorshëm të rezervuarit.

“Procesi është i pashmangshëm, por duhet monitoruar. Në shumë rezervuarë të vendit ku janë bërë matje, rezulton se për rreth 40 vjet vëllimi është zvogëluar me 10 deri në 20 për qind”, thotë Arjan Jovani, ish-kryetar i KKDM-së gjatë viteve 2020–2025.

Sipas të dhënave të vëna prej tij në dispozicion të redaksisë, Bovilla ka humbur rreth tetë milionë metra kub kapacitet në afro 30 vjet, ose rreth 10 për qind të vëllimit. Për shumë rezervuarë të vegjël të ujitjes, nga ana tjetër, mungojnë matje të dokumentuara që të tregojnë sa kapacitet është humbur.

Jovani vëren se monitorimi i vazhdueshëm bëhet kryesisht në rezervuarët hidroenergjetikë, ndërsa në shumë rezervuarë ujitjeje, të administruar nga pushteti vendor, matjet periodike mungojnë ose janë të kufizuara.

“Në shumicën e rezervuarëve që menaxhohen nga pushtetet lokale mungojnë të dhënat. Disa janë mbushur dhe kanë dalë jashtë funksionit, si rezervuarët e Shishtufinës dhe Skoranës në Tiranë”, thotë ai.

Raportimi i KKDM-së për vitin 2023, i cituar nga KLSH, evidentonte rreth 30 diga të mëdha dhe 90 të vogla jashtë funksionit. Vogli përmend Skoranën si shembull të një vepre që ka humbur funksionin fillestar për shkak të sedimenteve. Një rezervuar mund të vazhdojë të figurojë në inventar dhe të mbajë ujë, edhe kur nuk kryen më shërbimin për të cilin u ndërtua.

Një studim i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, i zhvilluar në vitin 2023 në bashkëpunim me H2H Foundation, evidentoi se rreth 28 diga të mëdha dhe 52 diga të vogla për ujitje ishin jashtë funksionit për shkak të sedimentimit, çarjeve, bllokimit të veprave të marrjes së ujit apo problemeve të tjera teknike.

Duke bërë kështu që një rezervuar  të vazhdojë të figurojë në inventar, të ketë ende ujë dhe të duket si liqen, por praktikisht të mos kryejë më funksionin për të cilin është ndërtuar.

Liqeni Artificial: ndotje e dokumentuar, monitorim i pjesshëm

Siguria e digës dhe cilësia e ujit janë probleme të ndryshme, por bashkohen te administrimi i të njëjtit rezervuar. Në një auditim tjetër të KLSH-së, të publikuar në 2025, u konstatua se Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) nuk kishte kryer monitorimin e rregullt të planifikuar të Liqenit Artificial për vitet 2021–2024. Audituesit identifikuan dhjetë pika problematike të kanaleve që derdheshin në liqen, nga të cilat shtatë ishin evidentuar më parë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR).

Sipas auditimit, mungonte një hartë e plotë e kanaleve dhe disa prej tyre përcillnin edhe ujëra të ndotura. Në vitet 2021–2024, APR shpenzoi 10.665.000 lekë për pastrimin e basenit, por KLSH vlerësoi se punimet ishin kryesisht mekanike dhe nuk trajtonin burimet e ndotjes. Bashkia nuk kishte hartuar një plan të plotë të menaxhimit të liqenit.

Në përgjigjen për ACQJ, AKM tha se në programin e vitit 2026 kishte parashikuar analiza fiziko-kimike në dy pika të liqenit, pranë shkarkimit të Kopshtit Zoologjik dhe te “Lake View Point”, por jo analiza bakteriologjike. Instituti i Shëndetit Publik nuk e konsideroi monitorimin e ujërave sipërfaqësore kompetencë të tij; Bashkia iu referua AKM-së dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), ndërsa kjo e fundit tha se nuk kryen analiza laboratorike të ndotjes bakteriale. Nga përgjigjet nuk del se cili institucion kryen rregullisht matje mikrobiologjike në liqen.

Në kampionimin e qershorit 2025 të projektit “Active Water II” të H2H Foundation, në një pikë të Liqenit Artificial u raportuan 3.900 njësi E. coli dhe 11.000 koliformë totalë për 100 ml ujë. Në një mostër të Bovillës u raportuan 2.850 njësi E. coli për 100 ml, një pasë ndotje disa herë më e lartë se ajo e lejuar për rezervuare për ujë të pijshëm, apo edhe për zbavitje.

H2H zhvilloi edhe kampionime në tetor 2025 dhe prill 2026. Por përgjigjet institucionale të mbledhura nga ACQJ nuk sqarojnë cili është zinxhiri i njoftimit dhe i masave kur një analizë tregon ndotje mikrobiologjike në një hapësirë rekreative. Asnjë prej institucioneve të pyetura nuk qartësuan për ACQJ se cili ishte zinxhiri i veprimit në rast të një incidenti mjedisor për shkak të ndotjes.

Përgjegjësia ndahet, ndërhyrjet mbeten të paqarta

Për Liqenin Artificial, UKT thotë se administron digën, por jo basenin; APR merret me parkun dhe pastrimin e territorit, jo me shkarkuesin. AKMC nuk vlerëson gjendjen teknike të digës. Bashkia, AKM, AMBU dhe ISHP i referohen kompetencave të tyre të veçanta. Në një rast, Bashkia e përcolli kërkesën për informacion te AKM, e cila u përgjigj se pyetjet nuk hynin në kompetencën e saj. Për defektin e shkarkuesit, UKT nuk dha afat të qartë ndërhyrjeje.

Edhe për lejet e ndërtimit pranë Liqenit Artificial dhe Tufinës, Bashkia tha se nuk kishte miratuar vetë leje në njësitë përkatëse, por theksoi se leje mund të jepen edhe nga autoritetet kombëtare. Për aspektet teknike, kërkesën ia përcolli UKT-së dhe drejtorive të investimeve. Kështu, përgjigjet për territorin, operimin e digave dhe reagimin në emergjenca vijnë nga institucione të ndryshme, pa paraqitur një pasqyrë të përbashkët të masave.

Ligji për digat dhe rregullorja e sigurisë i ngarkojnë shfrytëzuesit detyrime për mirëmbajtjen dhe kontrollin teknik, ndërsa strukturat shtetërore e vendore kanë role në mbikëqyrje dhe mbrojtjen civile. Për Dhimitër Voglin, kalimi i shumë veprave te bashkitë nuk është shoqëruar gjithmonë me ekspertizën e specializuar që kërkon administrimi i tyre.

“Ka inxhinierë shumë të mirë, por për këto vepra duhet një grup. Individualisht nuk mund të bëhet. Instituti nuk mund të rikthehet siç ka qenë, por duhet një bërthamë shkencore për kullimin, ujitjen dhe mirëmbajtjen”, thotë ai.

“Është e pamundur që çdo bashki të ketë ekspertizën e nevojshme për vepra të tilla. Paratë nuk mungojnë, por duhen profesionistë dhe një ekip i qëndrueshëm”, shton Vogli.

Jovani kërkon ngritjen e një autoriteti të posaçëm të sigurisë së digave. KLSH ka rekomanduar forcimin e mbikëqyrjes, klasifikimin sipas nivelit të rrezikut dhe përditësimin e dokumentacionit teknik.

Afatet kanë kaluar. Çfarë është riparuar?

KLSH i kërkoi Bashkisë Tiranë të plotësonte pasaportat teknike deri më 30 qershor 2026 dhe planet e gatishmërisë për të gjitha digat në shfrytëzim deri më 30 shtator. UKT-së iu rekomandua të rikthente monitorimin dhe alarmimin në Bovillë, si dhe të ndërhynte në shkarkuesin e Liqenit Artificial deri më 30 qershor. Për Tufinën u kërkua një vendimmarrje teknike mbi rehabilitimin ose nxjerrjen nga përdorimi.

Afatet janë tejkaluar, por dokumentet e shqyrtuara nuk mjaftojnë për të konfirmuar çfarë është zbatuar. Për këtë duhen raportet e kontrollit, provat e funksionimit të shkarkuesve dhe alarmeve, pasaportat teknike, planet e emergjencës dhe dokumentet e përfundimit të punimeve.

“Shumica e rezervuarëve përballen me një rrezik të nënvlerësuar, edhe pse jo të gjithë janë në gjendje të rrezikshme”, thotë Jovani.

Nuk ka prova se të gjitha digat në territorin e Tiranës paraqesin rrezik të menjëhershëm. Ka, megjithatë, defekte të dokumentuara, monitorim të mangët, paqartësi për gatishmërinë në emergjenca dhe një mungesë të theksuar mbi inventarin real të trupave ujore nën administrim nga ana e pushtetit lokal.

Nga Bashkia te UKT-ja, AKM-ja dhe institucionet e tjera, kërkesat për informacion të ACQJ-së kaluan nga një zyrë te tjetra, me secilën që përcaktonte kufijtë e përgjegjësisë së vet dhe shpeshherë duke kaluar përgjegjësinë tek tjetra. Por ndërsa institucionet ia kalonin topin njëri-tjetrit, mbeti pa një përgjigje të plotë pyetja më e rëndësishme: çfarë është bërë konkretisht për të garantuar sigurinë e qytetarëve? /Denada Jushi –ACQJ

Etiketa: AKMbashkia tiranedigaklshUKT

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Mbetjet e rrezikshme te ish-Metalurgjiku, Prokuroria e Elbasanit nis hetimet ndaj “AlbChrome”

09:28 : 31/10/2026
AKTUALITET

Sigal, gjysëm mln euro për sigurimin e dhëmbëve të Vetingas-ve. Shifrat në raportin e KLSH

12:07 : 29/10/2026
AKTUALITET

“Vrasës” në qiell të hapur/ Dosja e krimit mjedisor të Albchrome, pasoja fatale mbi shëndetin e popullatës

10:16 : 27/10/2026
AKTUALITET

Trafiku në Tiranë/ KLSH: Gjysma e kamerave jashtë funksionit, investimet mbeten larg planit

15:53 : 26/10/2026
AKTUALITET

Rritja e pagave “rebelon” edhe albanologët, KLSH zbulon mangësi në projektet kërkimore

20:08 : 23/10/2026
AKTUALITET

Eskavatorët heqin gurët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bashkia hesht

20:18 : 22/10/2026
Para

Protestuesit ndezin flakadanë dhe u vënë flakën koshave para Ministrisë së Arsimit

TË GJITHA

Protestuesit ndezin flakadanë dhe u vënë flakën koshave para Ministrisë së Arsimit

14:38 : 31/10/2026

Siguria e digave, në ping-pongun institucional

14:36 : 31/10/2026

Torturë dhe keqtrajtim/ Organizatat ndërkombëtare denoncojnë dhunën policore në protesta

14:29 : 31/10/2026

Noka sulmon Arlind Qorin: U shit! Protesta e flamingove u katandis në shërbim të Ramës

14:23 : 31/10/2026

Protestuesja maskohet si Balluku, bën fotografi para kordonit të policisë

14:14 : 31/10/2026

Tensione në protestë/ Qytetari i revoltuar: Rama dhe Berisha e kanë vjedhur bashkë Shqipërinë

14:12 : 31/10/2026

Studentët për deputetët demokratë: Nuk duam persona që janë simbol i partive që na kanë rrënuar

13:59 : 31/10/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com