Nëse ke vënë re vajza me sy të mëdhenj, hundë të errësuar dhe pika të bardha në faqe, me shumë gjasë ke hasur në grimin Bambi. Trendi i frymëzuar nga personazhi i animuar po pushton rrjetet sociale dhe, mes atyre që kanë vendosur ta provojnë, është edhe Hati.
Hatixhe Brika ka ndarë me ndjekësit pamjen e saj të re, duke iu bashkuar një prej trendeve që po qarkullon së fundmi në TikTok dhe Instagram.
Grimi Bambi luan me tiparet e një dreri: sytë theksohen dhe rrumbullakosen për të krijuar një pamje më të ëmbël, përdoren nuanca të ndryshme të kafesë, hunda errësohet dhe në faqe vizatohen pika të vogla të bardha. Rezultati është një pamje që duket njëkohësisht lozonjare dhe paksa e pazakontë.
Afërsia e Halloween-it duket se i ka dhënë edhe më shumë hov këtij trendi, i cili është kthyer në një ide grimi që po provohet nga përdorueset e rrjeteve sociale. Dhe, me sa duket, Hati nuk kishte ndërmend ta linte pa e testuar.


