Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, u ka bërë thirrje protestuesve për qetësi dhe maturi, pas tensioneve dhe përplasjeve mes tyre gjatë protestës në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit.
Në një deklaratë për A2 CNN, Korreshi theksoi se përplasjet mes protestuesve rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga kërkesa kryesore e protestës: dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike.
“Do të kërkoja nga të gjitha palët qetësi dhe maturi. Sot lufta dhe gjithë kjo është kundër qeverisë. Në rast se ne dëmtohemi midis një-tjetrit, dëmtohemi duke kërkuar se kush është pozicioni preferencial apo diçka tjetër, ne nuk kemi bërë asgjë vetëm se kemi çuar ujë në llogoren e qeverisë.
Kështu që unë mendoj që të gjithë njerëzit duhet të kalojnë atë ç’ka në objektiv kryesor, kërkesën numër një, dorëheqjen e qeverisë, shkarkimin e qeverisë dhe formulimin e qeverisë teknike. Pastaj të tjerat janë detaje që zgjidhen në tavolinë mes gjithë protestuesve”, tha ai.










