Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, e organizuar në mbështetje të studentëve.
Noka deklaroi se Partia Demokratike do të mbështesë kërkesat e studentëve dhe se protesta e opozitës do të vijojë në krah të tyre. Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit, duke thënë se, sipas tij, pushteti nuk mund të mbahet më përmes dhunës policore.
“Edi Rama, largohu! Nuk e mban dot më pushtetin. Askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë, por ti e di se si u vjen fundi. Kërkesat e tyre duhet të respektohen. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. PD do të mbështesë kërkesat e studentëve. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta jonë do të vijojë te studentët”, deklaroi Noka.
Më tej, deputeti demokrat iu referua edhe rrëzimit të regjimit komunist në Rumani, duke përmendur ish-diktatorin Nicolae Ceaușescu dhe ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri.
“Ceaușescu tentoi që të mbijetonte me masa represive, por ky popull e theu murin e egër të diktaturës në vitin 1990. Nuk e ndal njeri vrullin e shqiptarëve. Shqiptarët kërkojnë sot shtet!”, u shpreh ai.