Një protestues i cili u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Shtetit, pasi kishte dhënë një intervistë për mediat ku shprehte kritikat ndaj qeverisë dhe shpjegonte arsyet e pjesëmarrjes në protestë, ka reaguar lidhur me debatet mes studentëve dhe përfaqësuesve të opozitës.
Ai u shpreh se qytetarët që u janë bashkuar studentëve nuk kanë dalë në protestë si përfaqësues të partive politike, por si mbështetës të kauzës së tyre.
“Sepse njerëzit kanë dalë për të më mbështetur. Unë nuk jam kundër mbështetjes, këta nuk kanë dalë si parti dhe si deputetë, por si popull. Po ta mendojmë shumë thellë, çdo njeri këtu ka fëmijë.”, u shpreh ai.
Protestuesi rikujtoi arrestimin e tij, duke thënë se ishte ndaluar pas një prononcimi për mediat, ndërsa theksoi se gjatë shoqërimit në komisariat ishte dhunuar dhe kërcënuar nga efektivët e policisë.
“Mua më kanë rrahur gjatë rrugës për në komisariat, më kanë kërcënuar. Më thanë, “do të të hedhim nga fugoni”. Më tha efektivi i policisë “Po ta mbajti, dil prapë në protestë”. Më kanë futur dhe më kanë rrahur, më kanë sharë”, tha ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe studentëve të bashkohen në protestë.













