Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara mes protestuesve dhe përfaqësuesve të opozitës pranë Ministrisë së Arsimit, duke bërë thirrje për bashkim të opozitës dhe shmangie të përplasjeve mes forcave politike.
“Sheshi nuk është monopol i askujt. Nuk ka nevojë për leje”, u shpreh ai, duke nënvizuar se çdo përpjekje për të krijuar përçarje brenda opozitës rrezikon të favorizojë mazhorancën.
Bardhi hodhi poshtë pretendimet se Partia Demokratike kërkon të marrë protagonizmin e protestës studentore, duke deklaruar se qëndrimi i saj është në mbështetje të kërkesave të të rinjve. “Ne nuk jemi këtu për të marrë protagonizmin dhe zërin e studentëve. Jemi në mbështetje të tyre”, deklaroi Bardhi.
Ai kritikoi gjithashtu disa grupime të vogla politike, të cilat, sipas tij, po e zhvendosin fokusin nga kundërshtimi i qeverisë drejt sulmeve ndaj opozitës. I pyetur për ndikimin e akteve normative në zhvillimin e protestës së fundit, e cila është paraqitur më e qetë krahasuar me atë të një jave më parë, Bardhi deklaroi se të rinjtë nuk mund të frenohen nga masa të tilla.
“Qeveria do të bëjë gjithçka për të frikësuar protestuesit, por nuk besoj se të rinjtë frikësohen”, tha Bardhi. Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i PD-së po përgatitet t’i kundërshtojë aktet normative në Gjykatën Kushtetuese. “Ne jemi në mbështetje të protestës së studentëve, nuk jemi organizatorët”, përfundoi ai.
