Protestuesit hedhin molotovë drejt Kryeministrisë, Policia ndërhyn me ujë

Aktualitet | 8 orë më parë

Në Tiranë po zhvillohen këtë të shtunë, 31 tetor, dy protesta kombëtare: njëra e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë para Ministrisë së Arsimit, dhe tjetra e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.

Protesta studentore vijon prej 19 ditësh, ndërsa Partia Demokratike ka organizuar tubimin e saj të dytë kombëtar në mbështetje të studentëve.

Situata është tensionuar pasi studentët kanë refuzuar bashkimin e protestuesve të PD-së me tubimin e tyre.

Zhvillimet minutë pas minute:

18:30 Protestuesit rikthehen para Kryeministrisë, Policia u bën thirrje të lirojnë rrugën

Pas shpërndarjes së përkohshme nga forcat e rendit, protestuesit janë ribashkuar dhe janë rikthyer sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar protestën me thirrje dhe slogane politike.

Të mbledhur para selisë së qeverisë, protestuesit kanë brohoritur “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, ndërsa kanë tentuar t’i afrohen godinës.

Në zonë është vendosur një kordon policor, i cili nuk ka lejuar afrimin e tyre drejt Kryeministrisë.

Në disa momente janë regjistruar shtyrje dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, teksa pjesëmarrësit kërkonin të qëndronin në bulevard përballë godinës së qeverisë.

Ndërkohë, Policia ka përdorur megafonët për t’u bërë thirrje protestuesve të lirojnë rrugën dhe të mos bllokojnë qarkullimin.

Sipas njoftimit të forcave të rendit, bllokimi i aksit rrugor përbën vepër penale dhe pjesëmarrësit janë ftuar të largohen në mënyrë të qetë, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.

Pavarësisht thirrjeve të Policisë, një grup protestuesish vijon të qëndrojë para Kryeministrisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

17:45  Pas tensioneve para Kryeministrisë, zbrazet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Pas tensioneve të regjistruara para Kryeministrisë, ku disa protestues hodhën molotovë, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të Policisë, forcat e rendit ndërhynë me autobotë ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Si pasojë e ndërhyrjes, zona para Kryeministrisë dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u boshatisën gradualisht, ndërsa protestuesit u larguan drejt rrugëve përreth.

Në terren vijojnë të jenë të pranishme forca të shumta policie dhe autobotë ujëhedhës, ndërsa situata para godinës së qeverisë paraqitet më e qetë krahasuar me momentet e tensionit.

17:25 Molotovë dhe mjete piroteknike te Kryeministria, Policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Pas hedhjes së molotovëve në drejtim të Kryeministrisë dhe forcave të Policisë, autoritetet ndërhynë me autobotë ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë, pranë godinës së Kryeministrisë janë vendosur forca të shumta policore dhe dy autobotë ujëhedhës, ndërsa përmes altoparlantëve Policia u ka bërë thirrje protestuesve të shmangin aktet e dhunës dhe të tërhiqen nga zona.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe Policisë vijojnë.

Tensionet u shënuan pak minuta pasi turma e studentëve dhe të rinjve mbërriti para godinës së qeverisë, ku disa persona të maskuar hodhën mjete piroteknike, gurë dhe sende të forta, duke sjellë përshkallëzimin e situatës dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.

17:00 Nisin tensionet para Kryeministrisë, hidhen molotovë dhe gurë ndaj Policisë

Protesta e 19-të e studentëve dhe të rinjve është zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt godinës së Kryeministrisë, ku fillimisht protestuesit u grumbulluan në mënyrë paqësore.

Megjithatë, situata u tensionua pas mbërritjes së turmës para selisë së qeverisë.

Disa të rinj, të maskuar dhe me kapuçë, hodhën bomba molotov dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të Policisë, ndërsa të tjerë vijuan të qëllonin me gurë dhe sende të forta.

Pas incidenteve, Policia ndërhyri me autobotë uji për shpërndarjen e protestuesve dhe vendosjen e kontrollit në zonën para Kryeministrisë.

Ndërkohë, pranë godinës është vendosur në gatishmëri edhe një autobot tjetër.

Sipas të dhënave nga terreni, disa protestues kanë përdorur edhe llastiqe për të goditur në drejtim të Kryeministrisë.

Gjatë protestës, para të ashtuquajturës “sofra e gurtë e dialogut” është vendosur një pankartë simbolike nga protestuesit, të cilët vijojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Forcat e Policisë u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të shmangin aktet e dhunës dhe të respektojnë institucionet, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar.

15:35 Policia përdor autobotin pas hedhjes së molotovëve, protestuesit largohen nga Ministria e Arsimit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Situata në protestën e studentëve u përshkallëzua pasi disa protestues hodhën bomba molotov, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të Policisë.

Pas incidenteve, Policia ndërhyri me autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Ndërkohë, reshjet e shiut që përfshinë zonën ndikuan gjithashtu në uljen e pjesëmarrjes në protestë.

Një pjesë e protestuesve, të pajisur me çadra dhe mushama, nisën të largohen nga zona përpara Ministrisë së Arsimit, duke lëvizur në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

15:28 – Protestuesit hedhin molotovë, policia hedh ujë me presion

Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar sërish në dhunë, pasi protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë e molotovë efektivët e policisë. Për t’i shpërndarë dhe për të ndalur sulmet, Policia ka ndërhyrë me ujë me presion.

14:56 – Pas djegies së koshave, protestuesit godasin policinë me llastiqe, kapsolla dhe gurë

Vijon tensioni në protestën para Ministrisë së Arsimit. Disa protestues kanë qëlluar me llastiqe dhe kapsolla në drejtim të policisë. Protestuesit e maskuar janë rreshtuar përballë efektivëve të policisë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre me llastiqe dhe gurë.

14:49 – Protesta, Boçi: Solidarizohemi me studentët, nuk duam t’i marrim vëmendjen

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH-në, ka komentuar zhvillimet e protestës dhe përplasjet mes protestuesve, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te qëllimi i përbashkët politik.

Boçi u shpreh se thirrjet e bëra nën efektin e emocioneve janë të paarsyeshme, pasi protestuesit duhet të bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të ndryshme ideologjike. Sipas tij, qëllimi kryesor i protestës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike apo kujdestare.

“Thirrjet nën efektin e emocioneve do t’i konsideroja thirrje të paarsyeshme, sepse njerëzit i bashkon qëllimi. Ata solidarizohen me njëri-tjetrin, jo sepse njihen apo kanë të njëjtat forma të të menduarit ose të njëjtat bindje ideologjike, por sepse kanë një qëllim të përbashkët. Në rastin konkret, qëllimi është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike, kujdestare. Nuk ka rëndësi emri. Pikërisht këtu duhet të fokusohet e gjithë energjia, si ajo protestuese, ashtu edhe ajo e prononcimeve dhe qëndrimeve politike. Këto janë akte apolitike ose antipolitike, të cilat fusin një konflikt brenda atyre njerëzve që duan të jenë bashkë. Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e tjetrit apo t’i zërë hapësirën. Ka plot njerëz që kanë motivacione të ndryshme për të ardhur. Ndoshta nuk janë dakord me njëri-tjetrin për çështje dytësore apo tretësore, por nuk mund t’i vënë këto mendime në plan të parë, ndërkohë që qëllimi kryesor është realizimi i një proteste që përcjell mesazhin te të gjithë qytetarët shqiptarë se Rama e ka mbushur kupën dhe duhet të largohet. Përndryshe, do t’i zgjasësh edhe më shumë kohën e qëndrimit në pushtet, të cilën ti, në mënyrë konkrete, po kërkon ta shkurtosh”, u shpreh deputeti.

14:10 – Tension para Ministrisë së Arsimit, digjen kosha dhe kartonë

Situata është tensionuar para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë ndezur tymuese blu dhe të kuqe. Gjithashtu, janë djegur kartonë dhe kosha mbeturinash në rrugën përpara institucionit.

13:43 – Studentët nuk lejojnë bashkimin e protestuesve të PD-së

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit nuk kanë mirëpritur pjesëmarrësit e protestës së Partisë Demokratike dhe nuk kanë lejuar bashkimin e tyre me protestën studentore.

13:32 – PD thërret protestën e dytë kombëtare në mbështetje të studentëve

Partia Demokratike ka organizuar protestën e saj të dytë kombëtare, në mbështetje të studentëve, të cilët shënojnë ditën e 19-të të protestës. Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit e PD-së pritet të marshojnë drejt bulevardit.

12:13 – Studentët dhe pedagogët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

Studentët dhe pedagogët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës së tyre kundër situatës në arsim. Ata kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre përpara nisjes së negociatave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme