Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me protestat studentore në Tiranë kundër qeverisë, kryeministrit Rama dhe klasës politike. Sipas Albin Kurtit, të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Teksa e vendos theksin te zëri i stutentëve, ai tha se një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen dhe ndryshimin shoqëror.
“Veçanërisht të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jetojnë me dinjitet nga puna, të jenë palë në vendime dhe ta kenë shtetin si mbështetje. Rininë dhe atë studentore i kemi shumë të çmuara. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen e ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, tha Kurti.
Duke folur për përplasjet gjatë protestave, Kurti ka thënë se dhuna dhe lëndimet ndaj qytetarëve janë shqetësim i përbashkët, por sipas tij, përtej përcaktimit të përgjegjësive penale, duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzimin e kundërshtive.
“Në anën tjetër, dhuna e lëndimet ndaj njerëzve, ballafaqimet direkte në rrugë janë brengë e të gjithëve. Por, nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, ka thënë Kurti.
Kurti: Nuk jemi rivale te Shqiperise
Po ashtu ai ka theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë, duke përmendur edhe dëshirën për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, ka deklaruar kryeministri.
Përfshirja e LVV ne proteste?
Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se tani janë forcë qeverisëse e jo protestuese, prandaj edhe nuk lejojnë të instrumentalizohen. Kurti ka theksuar se zhvillimet në Shqipëri përcillen me shqetësim dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të saj si përgjegjësi historike kombëtare për shqiptarët.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”, ka thënë ai.
Sa i përket pjesëmarrjes së VV-së në këto protesta, Kurti ka thënë se nuk kanë pasur kohë ta flasin për shkak të zhvillimeve në Kosovë, ndërsa shtoi se kurrë nuk e kanë parë të denjë taktikën ‘me hedh gurin e me fsheh dorën’.
“Ne nuk kemi patur rastin të flasim për to, të zënë siç kemi qenë me fushatën dhe zgjedhjet e qershorit e më pas me tensionin pothuaj dramatik që na shoqëroi deri te zgjedhja e presidentes. Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, është shprehur Kurti, raportojnë mediat ne Kosovë













