Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në zonën e njohur si Subash. Në përplasjen rrugore janë përfshirë tre automjete.
Të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë dhe më pas janë dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku po marrin trajtim mjekësor. Sipas të dhënave paraprake, ata kanë pësuar dëmtime të lehta.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti dhe cilët ishin faktorët që çuan në përplasjen e tre mjeteve.













