Bota

“U largova për t’i shpëtuar persekutimit”, Flavio Bolsonaro zbulon se si u arratis nga Brazili pas humbjes në zgjedhje, tregon edhe bisedën me të atin

Flavio Bolsonaro ka zbuluar arsyet që e shtynë të largohej nga Brazili, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, duke pretenduar se u detyrua të braktiste vendin për t’i shpëtuar persekutimit politik.

Në një video të publikuar në Instagram, senatori konservator rrëfeu takimin me të atin, ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili ndodhet në arrest shtëpie, si dhe momentin kur policia e njoftoi se duhej të dorëzonte pasaportat në kuadër të një hetimi për pastrim parash.

Politikani 45-vjeçar, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të dielën e kaluar përballë presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara përmes Argjentinës dhe Ekuadorit, së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.

Megjithëse partia e tij ka njohur rezultatin e zgjedhjeve, Flavio Bolsonaro vijon të mos e pranojë humbjen, duke ngritur pretendime për manipulim të votave. Ai ka lënë gjithashtu të hapur mundësinë e një kandidimi të ri për president përpara vitit 2030.

“Persekutimi nisi më herët nga sa e imagjinoja”

Në videon e publikuar të premten në mbrëmje, Flavio Bolsonaro tregoi rrethanat që e çuan drejt vendimit për t’u larguar nga Brazili, vetëm dy ditë pas humbjes në zgjedhje.

“Persekutimi nisi shumë më herët nga sa e imagjinoja”, deklaroi ai, duke iu referuar ngjarjeve të së hënës, kur vizitoi të atin, Jair Bolsonaro.

Ish-presidenti brazilian po vuan një dënim prej 27 vitesh burg për çështjen e tentativës për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022, ndërsa aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.

Sipas rrëfimit të Flavio Bolsonaro-s, pas përfundimit të vizitës, efektivët e policisë e njoftuan për një vendim gjykate, sipas të cilit ai duhej të dorëzonte pasaportat dhe i ndalohej të largohej nga Brazili.

Vendimi ishte marrë në kuadër të një hetimi për pastrim parash, për të cilin senatori mohon çdo përfshirje të paligjshme.

Ai pretendoi se veprimi gjyqësor ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë politike kundër tij, duke e lidhur vendimin në kohë me shpalljen e rezultatit zgjedhor.

Fjalët e Jair Bolsonaro-s, me lot në sy

Një pjesë të veçantë të rrëfimit, Flavio Bolsonaro ia kushtoi bisedës së shkurtër me të atin, në momentin kur policët po e njoftonin për vendimin e gjykatës.

Sipas tij, Jair Bolsonaro ishte emocionuar dhe, me lot në sy, i kërkoi të bisedonin pa i dëgjuar efektivët e policisë.

“E di se ku duan të dalin, apo jo?”, mësohet ta ketë pyetur ish-presidenti.

“Babi, e di. Mendoj se Zoti i ka të gjitha gjërat nën kontroll. Jam i përgatitur, do të përballem me këtë. Tani e di çfarë duhet të bëj”, u përgjigj Flavio, sipas versionit të tij.

Senatori tregoi se pas takimit u kthye në shtëpi, ku diskutoi me bashkëshorten për situatën dhe vendimin për t’u larguar nga Brazili.

Sipas tij, vendimi u mor nga të dy, pa njoftuar askënd tjetër. Ai falënderoi bashkëshorten për mbështetjen e dhënë.

Megjithatë, nuk dha detaje se si arriti të kalonte kufirin, pavarësisht ndalimit të largimit nga vendi.

Rruga e fshehtë nga Brazili drejt Miamit

Flavio Bolsonaro u largua nga Brazili të martën, më 27 tetor, disa orë pasi kishte përfunduar afati i vendosur për dorëzimin e pasaportave.

Sipas informacioneve të publikuara, ai kaloi fillimisht në Argjentinë përmes kufirit tokësor, në zonën mes Foz do Iguaçu dhe Puerto Iguazú.

Më pas, ai hipi në një avion privat me destinacion Guayaquil-in në Ekuador, prej nga u nis drejt Floridës.

Në mëngjesin e së mërkurës, më 28 tetor, senatori mbërriti në aeroportin Opa-locka, pranë Majamit, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.

Autoritetet amerikane kishin bërë të ditur se do t’i jepnin viza hyrjeje Bolsonaro-s dhe familjes së tij, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur gatishmërinë për t’i lejuar hyrjen në vend.

Largimi i tij ndodhi pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë të Brazilit për dorëzimin e pasaportave, të nxjerrë nga gjyqtari Alexandre de Moraes.

Autoritetet braziliane dhe shërbimet diplomatike kishin anuluar dokumentet përkatëse të udhëtimit, ndërsa Flavio Bolsonaro disponon gjithashtu edhe shtetësi italiane.

“U largova për të mirën e Brazilit”, akuzat për manipulim zgjedhor

Në deklaratën e tij, Flavio Bolsonaro pretendoi se largimi nga vendi nuk përbën braktisje të Brazilit, por një zgjedhje që do t’i mundësojë të vazhdojë aktivitetin politik.

“U largova për të mirën e Brazilit”, deklaroi ai, duke argumentuar se nga jashtë vendit mund t’i shprehë më lirshëm qëndrimet e tij politike.

Ai përsëriti gjithashtu se nuk e pranon fitoren e Lula-s në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht se vetë partia e tij, Partia Liberale (PL), e ka njohur rezultatin.

Bolsonaro pretendoi se gjatë procesit zgjedhor ka pasur parregullsi, por nuk paraqiti prova që të mbështesnin pretendimet për manipulim të votave.

Për të ilustruar pretendimet e tij, ai përdori një krahasim nga futbolli, duke i cilësuar parregullsitë e pretenduara si “gola të shënuar me dorë, të cilët nuk u anuluan nga VAR-i”.

Pretendimet e tij janë rrëzuar nga autoritetet zgjedhore dhe gjyqësore braziliane, ndërsa Lula fitoi raundin e dytë me rreth 51.8% të votave.

Parashikon “falimentimin” e Brazilit dhe lë të hapur një kandidim të ri

Senatori sulmoi sërish presidentin e rizgjedhur Lula, duke pretenduar se politika e tij ekonomike do ta çojë Brazilin drejt “falimentimit”.

Paralelisht, ai u shfaq i vendosur për të vijuar aktivitetin politik dhe la të hapur mundësinë e një kandidimi tjetër për president.

“Nuk po flas për vitin 2030, por për më herët”, deklaroi ai, pa shpjeguar se si mund të zhvillohej një garë e re presidenciale përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të Lula-s.

Largimi i Flavio Bolsonaro-s ka shkaktuar reagime të forta politike në Brazil, ku presidenti Lula e cilësoi veprimin e tij si “të turpshëm”.

Çështja ka marrë edhe përmasa diplomatike, pasi largimi i kandidatit të mundur përmes Argjentinës dhe pritja e tij në Shtetet e Bashkuara kanë tensionuar marrëdhëniet e qeverisë Lula me të dyja vendet.