Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka shpallur garën për ndërtimin e një aksi të ri rrugor në qytetin e Beratit, me synim përmirësimin e aksesit, lidhjeve dhe mobilitetit rajonal e lokal. Projekti parashikon ndërtimin e rrugës lidhëse Shëtitorja Osum–Bypass, me një fond limit prej rreth 273 milionë lekësh.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimi synon lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe uljen e trafikut në rrugën “Santa Lucia”. Aksi i ri do të nisë pranë Hotel Tomorit dhe do të vijojë deri në hyrjen e Bypass-it të ri, në fund të rrugës “Santa Lucia”.
Ndërhyrja synon të shmangë një pjesë të trafikut nga rruga ekzistuese, përgjatë së cilës ndodhen banesa dhe shkolla, duke përmirësuar sigurinë rrugore për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
Rruga e re mbi 1 kilometër, parashikohen ndërhyrje përgjatë lumit Osum
Sipas projektit, aksi rrugor do të shtrihet në dy segmente, me një gjatësi totale prej rreth 1,075 metrash. Segmenti i parë, me gjatësi rreth 375 metra, kalon drejtpërdrejt mbi shtratin e lumit Osum, ndërsa segmenti i dytë do të jetë rreth 700 metra i gjatë dhe me gjerësi afërsisht 12 metra.
Në segmentin e dytë janë realizuar edhe mbrojtje me gabione, me qëllim shmangien e dëmtimeve nga vërshimet e lumit. Projekti parashikon gjithashtu masa për mbrojtjen e brigjeve të Osumit përgjatë pothuajse gjithë gjatësisë së rrugës.
Në të dyja anët e aksit të ri parashikohen hapësira të gjelbëruara dhe ndriçim rrugor, përfshirë ndriçimin në anën pranë lumit.
Dy rrethrrotullime për lidhjen me rrugët ekzistuese
Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rrethrrotullimeve në pikat ku aksi i ri do të lidhet me rrjetin ekzistues rrugor të qytetit.
Rrethrrotullimi i parë do të pozicionohet pranë Bibliotekës së qytetit, ndërsa i dyti në fund të aksit të ri, në kryqëzimin me rrugën “Santa Lucia”.
Këto ndërhyrje synojnë organizimin më të mirë të lëvizjes së automjeteve, lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lidhjeve me rrugët ekzistuese dhe lagjet përreth.
Në projekt përfshihen gjithashtu trajtimi i rrjeteve të infrastrukturës dhe procedurat e nevojshme për shpronësimet që lidhen me realizimin e investimit.
Sipas dokumentacionit të Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërtimi i rrugës Shëtitorja Osum–Bypass synon të krijojë një alternativë të re qarkullimi në Berat, duke shmangur kalimin e një pjese të automjeteve në zonat e banuara dhe duke përmirësuar lidhjen mes shëtitores së Osumit dhe Bypass-it të qytetit.
Burimi: Scantv












