Sport

Gattuso shpërthen para sfidës me Cagliarin: Nëse vjen ndonjë menaxher, mbyll derën me çelës dhe ndodh hataja

Trajneri i Lazios flet për objektivin e sezonit, eliminimin e dhimbshëm me Italinë dhe sfidën me Cagliarin, ndërsa nuk fsheh shqetësimin për ndërhyrjet e mundshme të agjentëve te lojtarët e tij.

Gennaro Gattuso ka dalë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Cagliarin, ku ka folur për gjendjen fizike të skuadrës, objektivat e sezonit dhe eliminimin e Italisë nga gara për Botërorin. Trajneri i Lazios kërkon vazhdimësi nga futbollistët e tij, ndërsa ka dhënë edhe një mesazh të qartë për agjentët.

Sa i përket gjendjes fizike të skuadrës pas një jave të ngarkuar me ndeshje, Gattuso u shpreh se të dhënat e fundit janë pozitive, por vendimtare do të jenë rezultatet e testeve për rikuperimin e lojtarëve. “Duhet të shohim nëse mund të vazhdojmë me ritmin e testeve që kemi bërë dhe të bazohemi te rikuperimi i futbollistëve. Të dhënat e djeshme tregonin një rikuperim të mirë. Kemi zhvilluar një stërvitje të mirë dhe kemi rritur ngarkesën, pasi ditët e mëparshme kishim punuar më pak”, deklaroi ai.

Eliminimi me Italinë? Gattuso: Gabimet në futboll mund t’i korrigjosh

I pyetur nëse rezultatet pozitive me Lazion përbëjnë një lloj hakmarrjeje pas eliminimit të dhimbshëm me Italinë nga gara për Botërorin, Gattuso e mohoi një interpretim të tillë.

“Për mua nuk bëhet fjalë për hakmarrje. Futbolli përbëhet nga episode dhe në atë ndeshje në Zenicë, episodet na dënuan. E bukura e futbollit është se, kur bën një marrëzi apo gabim, çdo tri ditë ke mundësinë të reagosh dhe të korrigjohesh. Në jetën e vërtetë, gabimet i paguan”, tha trajneri. Gattuso theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga njerëzit e afërt në momentet e vështira, duke vlerësuar veçanërisht rolin e bashkëshortes së tij, me të cilën ka ndarë 30 vite të jetës.

Cagliari, kundërshtar i vështirë: Duhet të jemi të bashkuar
Në lidhje me sfidën e radhës, Gattuso e cilësoi Cagliarin një kundërshtar të vështirë, që mund të përshtatet taktikisht dhe është i rrezikshëm në kundërsulme. “Është një skuadër e organizuar shumë mirë. Pisacane është mik dhe po bën një punë të mirë. Ata dinë të mbrohen dhe të dalin shpejt në kundërsulm. Kundër Romës goditën nëntë herë në portë dhe krijuan shumë raste”, u shpreh ai.

Trajneri kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët e tij, duke veçuar edhe kontributin e Noslinit, jo vetëm për golat, por për mënyrën se si lufton në fushë. “Më pëlqen mënyra se si e mban pozicionin, sepse luan me një intensitet të jashtëzakonshëm dhe shqetëson kundërshtarët. Kjo karakteristikë nuk duhet të na mungojë, sidomos nesër. Nëse i bëjmë gjërat përgjysmë, mund të kemi vështirësi të mëdha”, paralajmëroi Gattuso.

Objektivi i Lazios? Fillimisht 40 pikë
Pavarësisht ecurisë së skuadrës, Gattuso nuk dëshiron të flasë për objektiva madhorë. Ai ka vendosur një cak modest, të paktën për momentin: sigurimin e 40 pikëve. “Objektivi janë 40 pikët. Nuk e di nëse lojtarët më marrin për shaka apo e thonë për ters, por edhe ata flasin për këtë. As unë nuk jam mësuar të shoh një klasifikim të tillë. Duhet të vazhdojmë të përgatitemi dhe po e kuptojmë se, kur luajmë me entuziazëm, mund të bëjmë mirë”, theksoi ai. Gattuso vlerësoi reagimin e skuadrës edhe pas pësimit të golit, kur Lazio ishte me një lojtar më pak, duke nënvizuar se dëshiron një ekip që sulmon dhe mbrohet si një grup i vetëm.

“Duhet të mësojmë të luajmë si reparte. Nuk na duhet të qëndrojmë vazhdimisht në një bllok të ulët mbrojtës. Duhet të punojmë së bashku, të vrapojmë së bashku dhe të jemi në gjendje t’i befasojmë të gjithë”, deklaroi trajneri.

Mesazh për agjentët: Shpresoj të mos vijë askush!
Në fund, Gattuso preku edhe çështjen e ndërhyrjeve të mundshme të agjentëve te futbollistët e tij, duke lënë të kuptohet se dëshiron të ruajë qetësinë dhe përqendrimin e skuadrës. “E di si funksionon kjo botë. Agjentët bëjnë punën e tyre, por deri tani, për shkak të marrëdhënies që kam krijuar me lojtarët, nuk ka ardhur askush. Shpresoj që të mos vijë askush. Ekziston rreziku që pastaj ta mbyll derën me çelës dhe të ndodhë gjithçka”, u shpreh ai me humor.

Gattuso theksoi se për momentin mendon vetëm për përgatitjen e skuadrës dhe zgjedhjen e formacionit më të mirë të mundshëm, duke kërkuar që të gjithë futbollistët të trajtohen në mënyrë të barabartë.