Përleshje mes protestuesve dhe policisë janë regjistruar pasditen e së shtunës në Paris, gjatë një demonstrate masive që ka përfshirë kryeqytetin francez.

Sipas raportimeve të mediave franceze, përfshirë BFMTV, tensionet shpërthyen kur marshimi mbërriti në zonën e Porte de Sarandon.

Dhjetëra persona të maskuar dhe të veshur me të zeza kanë shkëputur pllaka nga trotuaret me çekiçë dhe më pas i kanë hedhur në drejtim të policisë.

Gjithashtu, një pajisje ndezëse është hedhur drejt forcave të rendit. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestuesit.

Prefektura e Policisë bëri të ditur se, drejt fundit të marshimit, një grup prej disa qindra protestuesish sulmoi forcat e rendit duke hedhur sende të forta dhe një koktej Molotov. Autoritetet njoftuan se po ndërhynin për t’i dhënë fund incidenteve dhe për të rivendosur rendin publik.

Pavarësisht përplasjeve, shpërndarja e pjesës tjetër të demonstratës vijoi pa probleme, sipas autoriteteve franceze.

Ndërkohë, sipas Organizatës Rinore Ndër-Sindikale, rreth 500 mijë persona morën pjesë në demonstratat e zhvilluara në të gjithë Francën, ndërsa vetëm në Paris u raportua pjesëmarrja e rreth 200 mijë protestuesve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: