Deputetët e Partisë Demokratike iu bashkuan protestës së studentëve, e cila vijon për të 19-ën ditë radhazi, në mbështetje të kërkesave të tyre dhe dorëheqjes së Edi Ramës.
Deputetët u nisën nga selia e Partisë Demokratike, marshuan në drejtim të Kryeministrisë dhe më pas iu bashkuan studentëve të mbledhur para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë protestës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, deklaroi se mesazhi i opozitës dhe i qytetarëve është largimi i kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të mbajë pushtetin përmes dhunës policore.
‘Sot ka vetëm një mesazh: Edi Rama, largohu! Ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë. Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më’, u shpreh Noka.
Ai theksoi se Partia Demokratike është në sinkron me protestën studentore dhe do të vijojë të mbështesë kërkesat e studentëve, të cilat sipas tij duhet të dëgjohen dhe të respektohen nga qeveria.
‘Kjo protestë është thirrur për të qenë në sinkron me studentët, për t’i mbështetur ata. Kërkesat e tyre duhet të respektohen, zëri i tyre duhet të dëgjohet’, deklaroi Noka.
Duke iu bashkuar studentëve përpara Ministrisë së Arsimit, deputetët e PD-së përcollën mesazhin e mbështetjes së opozitës për vijimin e protestës dhe kërkesave të studentëve.
© SYRI.net
Deputetët e PD publikojnë karikaturën që po bën xhiron e rrjeteve sociale: Qori, ‘vegla qorre’ e Ramës për të përçarë protestën
Il Fatto Quotidiano: Protesta të reja kundër Ramës në Shqipëri, kazanë në flakë dhe bomba molotovë në Tiranë
'Deputetët e PD-së po na mbështesin!' Thirrja e studentit protestues: Bëhuni bashkë e dilni përballë tek kryeministria...