“Rama në burg, Berisha në burg”/ Protestuesit rikthehen përpara Kryeministrisë, përplasen me policinë
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për shpërthimin e fuqishëm në zonën e Plakës, në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe disa shqiptarë. Autoritetet greke kanë publikuar fotografi-dëshmi nga këqyrja në vendngjarje, ku dokumentohen tubat e bakrit që u dëmtuan nga tre personat e arrestuar për ngjarjen.
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Zjarrit (DAEE), tre të dyshuarit, mes tyre edhe shqiptarë, kishin hyrë në ndërtesë dhe kishin prerë me një vegël të posaçme një pjesë të tubit të bakrit pranë matësit të gazit, me qëllim shitjen e tij për skrap dhe përfitimin e një shume të vogël parash.
Por veprimi i tyre shkaktoi pasoja tragjike. Heqja e tubit solli dëmtimin e një tubacioni aktiv të gazit natyror, duke shkaktuar një rrjedhje që zgjati rreth pesë orë e gjysmë.
Gazi i grumbulluar në ndërtesë shkaktoi më pas shpërthimin e fuqishëm, i cili la pas gjashtë viktima dhe shkatërrime të mëdha. Në fotografitë e publikuara nga autoritetet dallohen gjurmët e prerjes në tubin e bakrit, si dhe dëmtimi i tubacionit fqinj, i cili ishte ende në funksion.

Sipas raportit të ekspertëve, shkëputja e tubit aktiv nga pjesa metalike lidhëse shkaktoi rrjedhjen e gazit natyror që parapriu shpërthimin.
Dokumentacioni fotografik konsiderohet një element i rëndësishëm i hetimit, pasi ndihmon në rindërtimin e mekanizmit që çoi në tragjedinë me gjashtë viktima.

Tre personat e arrestuar janë 34, 37 dhe 55 vjeç. Sipas autoriteteve, ata kanë precedentë të mëparshëm penalë dhe janë identifikuar pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Kamerat i kishin filmuar në rrugicat e zonës, rreth pesë orë përpara shpërthimit, duke mbajtur pjesën e tubit të bakrit që kishin hequr nga ndërtesa.

Të tre përballen me akuza të rënda, mes të cilave zjarrvënie dhe shkaktim shpërthimi me pasojë vdekjen e personave, si dhe vrasje me dashje eventuale. Sipas raportimeve të mediave greke, ata pritet të dalin përpara hetuesit të hënën, ku do të japin shpjegimet e tyre për ngjarjen.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se një tentativë për të përfituar një shumë të vogël nga shitja e bakrit përfundoi në një tragjedi me gjashtë viktima.
Top Channel