Botero dhe kryeveprat klasike: Arti që e shndërroi vëllimin në identitet

Fernando Botero krijoi një gjuhë artistike të dallueshme, duke riinterpretuar kryeveprat evropiane përmes figurave të rrumbullakosura dhe përmasave të zmadhuara. Sipas BBC Culture, veprat e tij hapin një debat edhe për vendin e Amerikës Latine në historinë e artit.

Artisti kolumbian iu rikthye krijimeve të Leonardo da Vinçit, Velázquez-it, Rafaelit dhe Piero della Francesca-s, duke i përpunuar sipas stilit të tij, të njohur si “Boterismo”.

Në “Mona Lisa” të vitit 1978, portreti i famshëm mbetet i njohshëm, por merr forma dhe përmasa karakteristike të Boteros. Kjo qasje shfaqet edhe në pikturat e skulpturat e tij, ku njerëzit, kafshët dhe objektet fitojnë një prani të theksuar përmes vëllimit.

Botero kundërshtonte idenë se pikturonte thjesht figura të shëndosha. Për të, zmadhimi i formave ishte pjesë e kërkimit artistik dhe një mënyrë për të përcjellë kënaqësi përmes ngjyrës dhe kompozimit.

Riinterpretimet e tij pasqyrojnë gjithashtu ndërthurjen e trashëgimisë evropiane me kulturën pamore latinoamerikane, duke i dhënë kësaj të fundit një zë të veçantë.

Veprat e artistit prezantohen në ekspozitën “Fernando Botero: In Praise of an Amplified World”, e hapur në Opera Gallery të Londrës deri më 22 nëntor.

Të fundit nga rubrika