Vendosni fjalën kyçe....

Një shtetas gjerman sulmon me thikë dy efektivë policie në Malësinë e Madhe


Dy punonjës policie kanë mbetur të plagosur me thikë gjatë një ndërhyrjeje në fshatin Pjetroshan, në Malësinë e Madhe.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja nisi pas denoncimit të një 27-vjeçari, i cili raportoi se gjatë udhëtimit me automjet nga Hani i Hotit drejt Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër i kishte hedhur benzinë mbi makinën e tij, pranë një karburanti në afërsi të pikës kufitare.

Pas njoftimit, policia ndaloi automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan. Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e drejtuesit, një 47-vjeçar me shtetësi gjermane, ky i fundit dyshohet se ka goditur me thikë dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme.

Njoftimi:

Malësi e Madhe/Informacion paraprak

Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.

Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.