
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e studentëve, duke akuzuar policinë për përdorim dhune ndaj protestuesve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi qëndrueshmërinë e studentëve dhe gjimnazistëve, ndërsa e cilësoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si kusht për hapjen e një kapitulli të ri politik në vend.
“Tirana po jeton sot një ditë tjetër terrori, dhune të falangave të narkoshtetit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, padrinos dhe zyrtarëve të tij.
Trimëria, guximi dhe vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën.
Ndaj dhe, unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët dhe gjimnazistet, studentet dhe studentët, që me guximin, kurajon, vendosmërinë e tyre arritën sot të jenë defacto zotërit e vërtetë të Tiranës.
I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendit. Është kushti i të gjitha kushteve për krijimin e një qeverie kujdestare, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në këtë kuadër unë ftoj çdo qytetar të këtij vendi, ftoj të gjitha forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore.
Të bashkohen në mbështetje të kësaj revolte me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Me qëllim të bëjnë të mundur shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre më të mirët që ata mendojnë.”