Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve në Serbi, ka shtyrë përkohësisht formimin e shumicës parlamentare dhe të qeverisë së re, por ka njoftuar se nuk do të heqë dorë nga kërkesa për ndjekjen penale të figurave kryesore të pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.
Duke folur për televizionin kroat HRT, avokati nga Beogradi Çedomir Stojkoviç vlerësoi se kërkesa për vënien para drejtësisë të ish-zyrtarëve është e justifikuar. Sipas tij, gjatë qeverisjes së Vuçiçit janë kryer “shkelje të shumta ligjore dhe abuzime financiare”. Stojkoviç, i cili më parë është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij publike, riktheu në vëmendje edhe kallëzimin penal që kishte ngritur ndaj Vuçiçit lidhur me rolin e pretenduar në vrasjen e civilëve gjatë luftës në Bosnjë, në rastin e njohur si “Safari i Sarajevës”.
Avokati shprehu pritshmërinë që zyrtarë të lartë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) do të përballen me drejtësinë për pasurim të paligjshëm. Ai gjithashtu u shpreh për të ardhmen politike të Vuçiçit, duke pretenduar se ndikimi i tij është dobësuar dhe se ish-presidenti duhet të përballet me përgjegjësi penale për veprimet e kryera gjatë qeverisjes së tij. Në fjalën e tij për HRT, Stojkoviç deklaroi se “Vuçiçi tani i përket historisë. Kaosin në Serbi e ka krijuar pikërisht ai, duke vendosur paligjshmërinë në institucionet e vendit”.
Përmes deklaratave të tij, Stojkoviç artikuloi pritjen për një proces ligjor kundër personave të lidhur me qeverisjen e kaluar dhe ritheksoi qëndrimin e Listës Studentore për ndjekje penale si kusht të pazëvendësueshëm në negociatat për krijimin e shumicës dhe qeverisë së re. Top Channel.
