Lista Studentore, e cila sipas raportimit ka fituar zgjedhjet në Serbi, ka shtyrë përkohësisht formimin e shumicës parlamentare dhe të qeverisë së re. Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për ndjekjen penale të figurave kryesore të pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.
Në një intervistë për televizionin kroat HRT, avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviç, e cilësoi të justifikuar kërkesën për vënien para drejtësisë të ish-zyrtarëve.
“Gjatë qeverisjes së Vuçiçit janë kryer shkelje të shumta ligjore dhe abuzime financiare”, deklaroi ai.
Stojkoviç, i cili më herët është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij publike, kujtoi edhe kallëzimin penal që kishte ngritur ndaj Vuçiçit lidhur me rolin e pretenduar të këtij të fundit në vrasjen e civilëve gjatë luftës në Bosnjë, në çështjen e njohur si “Safari i Sarajevës”.
Avokati u shpreh se pret që zyrtarë të lartë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të përballen me drejtësinë për pasurim të paligjshëm.
Duke folur për të ardhmen politike të Vuçiçit, Stojkoviç pretendoi se ndikimi i tij është zhdukur dhe se ai duhet të mbajë përgjegjësi penale për veprimet gjatë qeverisjes së tij.
“Vuçiçi tani i përket historisë. Kaosin në Serbi e ka krijuar pikërisht ai, duke vendosur paligjshmërinë në institucionet e vendit”, deklaroi avokati.


