Agjencia franceze e lajmeve AFP ka raportuar mbi protestën e 31 tetorit në Tiranë, duke pasqyruar përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas AFP-së, tubimi nisi në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit, pavarësisht motit me shi, por më vonë situata u përshkallëzua. Agjencia shkruan se disa protestues të maskuar hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa në rrugë u dogjën edhe kosha mbeturinash. Për shpërndarjen e turmës, uniformat blu përdorën autobotët me ujë.
Në raportimin e saj, AFP e lidh protestën e fundit me një valë më të gjerë pakënaqësie që ka përfshirë vendin gjatë muajve të fundit. Sipas agjencisë, tubimet nisën në maj, fillimisht kundër një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur, por më pas u shtrinë edhe në çështje të tjera që lidhen me qeverisjen.
AFP thekson se lëvizja nuk ka një drejtues apo strukturë të vetme organizative. Përveç akuzave për korrupsion, protestuesit kanë ngritur shqetësime për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Në artikull përmendet edhe shifra e 269 të miturve nën 18 vjeç të arrestuar gjatë protestave, sipas një zyrtari. Agjencia i referohet gjithashtu masave të miratuara nga qeveria gjatë javës, që parashikojnë gjoba deri në 5,500 euro për personat që përfshihen në akte dhune gjatë tubimeve.












