Saturday / October 31 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Life Style Nga Vendi

Veshja sportive po bëhet pjesë e përditshmërisë, më të kërkuarat janë atletet

Share Share Icon

Flet Semi Gjyli, Menaxherja Ekzekutive e Sport Vision Group

 

Veshja sportive nuk është më vetëm për sport, po bëhet pjesë e përditshmërisë, ndërsa atletet mbeten ndër produktet më të kërkuara.

Semi Gjyli, Menaxherja Ekzekutive e Sport Vision Group, thotë se rritja e kërkesës për veshje sportive po ndikohet jo vetëm nga shtimi i përdorimit të tyre në përditshmëri, por edhe nga rritja e interesit të të rinjve për sport dhe jetë të shëndetshme.

 

Si ka qenë ecuria e Sport Vision në tregun shqiptar gjatë vitit 2026, krahasuar me një vit më parë?

Viti 2026 ka vijuar me ecuri pozitive, duke reflektuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është mbështetur si nga performanca e rrjetit të dyqaneve, ashtu edhe nga interesi në rritje i konsumatorëve për kategorinë lifestyle dhe, gjithnjë e më shumë, për atë sportive.

Ajo që vihet re është se konsumatori shqiptar po e integron gjithnjë e më shumë veshjen sportive në përditshmëri. Gjithashtu, atletet vijojnë të jenë një nga kategoritë kryesore, pasi ndërthurin komoditetin, funksionalitetin dhe dizajnin.

Njëkohësisht, sidomos te brezat e rinj, po shohim një orientim gjithnjë e më të madh drejt një jetese aktive dhe të shëndetshme, me interes në rritje për aktivitete si vrapimi, fitness-i apo sportet outdoor.

Kjo tendencë po reflektohet drejtpërdrejt edhe në kërkesën për produkte sportive dhe në ecurinë e kësaj kategorie.

 

A po shpenzojnë shqiptarët më shumë apo më pak për veshje dhe këpucë sportive, dhe sa po ndikon rritja e kostos së jetesës në vendimet e blerjes?

Nga ecuria që kemi parë gjatë këtij viti, shpenzimet në kategorinë sportive kanë vijuar të rriten. Sigurisht, rritja e kostos së jetesës e ka bërë konsumatorin më të kujdesshëm dhe më përzgjedhës në vendimmarrje, por kjo nuk është përkthyer domosdoshmërisht në ulje të interesit apo të konsumit.

Përkundrazi, konsumatori sot është më i informuar dhe kërkon më shumë vlerë për atë që blen, duke vlerësuar raportin mes cilësisë, çmimit dhe jetëgjatësisë së produktit.

Kjo reflektohet edhe në orientimin drejt markave të njohura dhe të konsoliduara.

Nike vazhdon të ketë një pozicion dominues në preferencat e konsumatorëve, ndërkohë ka një dinamikë pozitive edhe për marka aktualisht shumë të kërkuara në tregun ndërkombëtar, të cilat klientët i gjejnë në dyqanet tona, si On Cloud, New Balance, The North Face, Hoka, ASICS, Columbia, Colmar etj.

Si lider në treg, përkushtimi ynë është të jemi sa më pranë klientit, duke ofruar një përzgjedhje të gjerë markash dhe produktesh, si dhe një politikë çmimesh konkurruese në raport me tregjet e rajonit dhe ato europiane.

 

Sa ka ndikuar turizmi në shitjet e veshjeve sportive? A keni vënë re rritje të blerjeve nga turistët e huaj dhe cilat janë tregjet nga të cilat vijnë më shumë?

Rritja e turizmit në Shqipëri ka pasur ndikim pozitiv në retail dhe ky efekt është reflektuar edhe në aktivitetin tonë.

Gjatë periudhave me fluks më të lartë turistik kemi vënë re një prani më të madhe të klientëve me profile të diversifikuara, nga vendet e rajonit dhe ato europiane, por edhe vizitorë nga Europa Lindore e më tej.

Veçanërisht pozitive për ne është feedback-u që marrim prej tyre, si për gamën e markave dhe produkteve, ashtu edhe për nivelin e çmimeve.

Kjo na tregon se oferta jonë është konkurruese jo vetëm në tregun vendas dhe rajonal, por edhe kur krahasohet me tregje të tjera europiane.

 

A kanë turistët një sjellje të ndryshme blerjeje nga konsumatorët vendas dhe cilat produkte te veshjet sportive parapëlqejnë më shumë gjatë sezonit turistik? Pra, a shpenzojnë më shumë apo më pak sesa vendasit?

Në tërësi, sjellja dhe trendet janë të ngjashme te klientët vendas dhe të huaj. Konsumatori vendas ka një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të vazhdueshme me Sport Vision dhe blerjet e tij shpërndahen gjatë vitit.

Turistët blejnë më spontanisht dhe, përveç produkteve të sezonit, orientohen edhe drejt produkteve praktike, atyre për aktivitete sportive dhe modeleve lifestyle. Megjithatë, kemi edhe turistë që rikthehen në Shqipëri dhe në dyqanet tona, çka për ne është një tregues optimist.

 

Si po performojnë shitjet online krahasuar me dyqanet fizike dhe a ka ndryshuar sjellja e konsumatorit shqiptar në këtë drejtim?

Kanali online po ndjek një trend të vazhdueshëm pozitiv dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në mënyrën se si konsumatori shqiptar ndërvepron me ne.

Në krahasim me tregjet më të zhvilluara europiane, sigurisht që ka ende hapësirë për rritje të mëtejshme të këtij kanali në Shqipëri, por ritmi i zhvillimit është pozitiv.

Ajo që po ndryshon është mënyra se si kombinohen këto dy kanale. Ne i shohim online dhe retail-in fizik jo si dy kanale konkurruese, por si pjesë të së njëjtës eksperiencë blerjeje. Rritja që po shohim në të dyja drejtimet është për ne një tregues jo vetëm i performancës, por edhe i besimit që konsumatori ka krijuar te Sport Vision Group.

 

Cilat janë pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit dhe cilat janë planet e kompanisë për zgjerimin e aktivitetit në Shqipëri?

Duke u bazuar në ecurinë pozitive të deritanishme, pritshmëritë tona për pjesën e mbetur të vitit mbeten optimiste. Synimi është të vijojmë trendin e rritjes, duke u fokusuar te performanca e biznesit, por njëkohësisht edhe te përmirësimi i vazhdueshëm i eksperiencës së konsumatorit dhe forcimi i mëtejshëm i pozicionit tonë në tregun shqiptar.

Sot, Sport Vision Group ka një prani të konsoliduar në Shqipëri, me një rrjet prej 34 dyqanesh; 31 fizike dhe 3 online, duke qenë gjithnjë pranë konsumatorit shqiptar.

Zgjerimi me pika të reja, rinovimi i dyqaneve ekzistuese dhe zhvillimi i vazhdueshëm i eksperiencës së klientit, si në dyqan ashtu edhe online, mbeten pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë.

Paralelisht, kemi investuar në forcimin e marrëdhënies afatgjatë me konsumatorin edhe përmes programit të besnikërisë, i cili na mundëson të jemi më pranë nevojave dhe preferencave të tij.

Objektivi ynë është që kjo rritje të jetë e qëndrueshme: të zgjerojmë praninë tonë, të përmirësojmë vazhdimisht përvojën që ofrojmë dhe të ecim në të njëjtin ritëm me zhvillimin e konsumatorit dhe të tregut shqiptar.

 

 

LEXONI EDHE:

Fytyra e re e tregut të veshjeve

Mehmet Memo: Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Era Xhabafti: Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Flet Mehmet Memo, Menaxher i LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut   Për menaxherin e LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut...

8 minutes më parë 6 Min Lexim

Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

Flet Era Xhabafti, zv.drejtoreshe e Përgjithshme e Mini Invest Albania   Rritja e turizmit, zgjerimi i retail-it modern dhe ndryshimi i sjelljes së...

10 minutes më parë 11 Min Lexim
Bota /

Jo më strehë e sigurt

14 minutes më parë 7 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!