Saturday / October 31 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Life Style Nga Vendi

Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

Share Share Icon

Flet Era Xhabafti, zv.drejtoreshe e Përgjithshme e Mini Invest Albania

 

Rritja e turizmit, zgjerimi i retail-it modern dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit po e bëjnë Shqipërinë një treg gjithnjë e më interesant për markat ndërkombëtare.

Por, përtej madhësisë së tregut dhe fuqisë blerëse, investitorët kërkojnë mbi të gjitha stabilitet, politika të qëndrueshme dhe procedura të thjeshta për të operuar.

Era Xhabafti, zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Mini Invest Albania, vlerëson se Shqipëria nuk duhet të synojë vetëm të tërheqë marka për tregun vendas, por të krijojë kushtet që vendi të shërbejë si qendër rajonale për Ballkanin.

Sipas saj, nëse Shqipëria nuk mund të konkurrojë me madhësinë e tregut, duhet të konkurrojë me sigurinë, lehtësinë e të bërit biznes dhe një klimë më të parashikueshme për investitorët.

 

Si paraqitet kërkesa e konsumatorëve shqiptarë për marka ndërkombëtare të veshjeve (mbi brandet ekonomike) dhe cilët faktorë ndikojnë më shumë në zgjedhjen e tyre?

Konsumatori shqiptar është më i sofistikuar, më i edukuar dhe më kërkues. Kërkesa është rritur dhe ka orientim të dukshëm drejt markave perëndimore.

Në një treg me konkurrencë gjithnjë e më të lartë, vetëm produkti nuk mjafton. Diferencën e krijojnë marka, besueshmëria, shërbimi dhe përvoja e blerjeve.

Ne shqiptarët e kemi parë gjithmonë veten drejt Perëndimit. Nëse konsumatori ynë mendon, udhëton dhe konsumon si europian, është e natyrshme të kërkojë që edhe markat ndërkombëtare t’i gjejë në vendin e tij.

Ne jemi një treg në zhvillim dhe tregu nuk ndryshon vetëm duke i treguar konsumatorit një produkt të ri, ndryshon kur i tregon një standard të ri. Nëse i servir eksperiencën, shërbimin dhe produktin e duhur, konsumatori shqiptar e përqafon shumë shpejt.

 

Sa të ndjeshëm janë konsumatorët shqiptarë ndaj çmimeve dhe a janë të gatshëm të paguajnë më shumë për marka të njohura ndërkombëtare?

Sigurisht që çmimi mbetet një faktor i rëndësishëm, sidomos duke pasur parasysh fuqinë blerëse të tregut shqiptar.

Ekziston një segment gjithnjë e më i konsoliduar që është i gatshëm të paguajë më shumë kur kupton se për çfarë po paguan: për cilësinë, emrin e markës, dizajnin, origjinalitetin, shërbimin dhe eksperiencën.

Kur marka ka identitet dhe karakter, automatikisht edhe konsumatori percepton vlerën e shtuar. Në retail, klienti mund ta harrojë çmimin që pagoi, por nuk harron mënyrën se si një markë e bëri të ndihet.

Pra, sfida e një marke ndërkombëtare nuk është thjesht të justifikojë çmimin, por të krijojë vlerë konsumatore. Kur kjo bëhet siç duhet, tregu shqiptar përgjigjet shumë mirë.

 

Në opinionin tuaj, cilat janë pengesat kryesore që i vështirësojnë hyrjen dhe zgjerimin e markave ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Demografia dhe informaliteti janë dobësitë kryesore. Rënia e popullsisë dhe emigrimi janë probleme reale, sepse një nga pyetjet e para të partnerëve ndërkombëtarë është madhësia e tregut.

Ne nuk mund të mbetemi një treg i izoluar. Duhet ta prezantojmë veten si një vend me turizëm në rritje, me diasporë të madhe, me lidhje shumë të forta me Kosovën dhe me potencial për t’u kthyer në një qendër rajonale operimi.

Gjithashtu pasiguria që krijon informaliteti. Kur një pjesë kaq e madhe e ekonomisë funksionon në informalitet bëhet më e vështirë të kuptosh sa i madh është realisht tregu, cila është konkurrenca dhe çfarë kostosh do të ketë biznesi në praktikë.

Pengesë tjetër është nevoja për më shumë hapësira retail që plotësojnë standardet e operatorëve të mëdhenj ndërkombëtarë. Kemi mungesë lokacionesh si “shopping street” dhe “shopping departments”.

Problematika të tjera janë dobësitë në sundimin e ligjit, burokracia dhe procedurat e gjata të licencimit, çështjet e pronësisë dhe nevoja për më shumë transparencë dhe eficiencë institucionale. Edhe investitorët e huaj kërkojnë më shumë parashikueshmëri, politika më të qëndrueshme dhe komunikim më të qartë nga institucionet.

Për mua, politika më e mirë për të tërhequr një markë është politika që e bën investitorin të ndihet i sigurt për të nesërmen.

Nëse nuk mund të konkurrojmë me madhësinë e tregut, duhet të konkurrojmë duke e bërë më të lehtë dhe më të parashikueshme operimin këtu. Një treg i vogël nuk e ka luksin të jetë edhe i ndërlikuar. Investitori nuk ka frikë nga vendet e vogla; ka frikë nga pasiguria.

 

Çfarë potenciali ofron tregu shqiptar për markat ndërkombëtare të veshjeve dhe cilat janë mundësitë më të mëdha për zhvillimin e tyre në të ardhmen?

Shqipëria mund të jetë një treg i vogël në numra, por nuk është një treg i vogël në ambicie. Mendoj se Shqipëria ka vërtet potencialin të jetë një qendër për retail-in rajonal dhe një adresë ku markat mund të arrijnë një rajon të tërë.

Stabiliteti dhe politikat pro-investimit janë vendimtare. Markat ndërkombëtare kërkojnë parashikueshmëri, rregulla të qarta, mbrojtje të investimit dhe partnerë lokalë seriozë.

Shqipëria duhet të krijojë politika dhe procedura më të lehta për hyrjen e tyre, duke favorizuar modele ku franshiza zhvillohet dhe menaxhohet nga operatorë shqiptarë.

Kemi disa faktorë që po zhvillohen njëkohësisht: rritjen e turizmit, ndryshimin e profilit të konsumatorit, zhvillimin e retail-it modern, orientimin drejt markave perëndimore dhe një brez konsumatorësh shumë më të lidhur me trendet ndërkombëtare.

Por mundësinë më të madhe e shoh te rajonalizimi. Nëse një investitor shqiptar ndërton strukturën, ekipin, logjistikën dhe know-how për një markë në Shqipëri, pse kjo strukturë të mos shërbejë nesër edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo tregje të tjera.

Pra, objektivi duhet të jetë që Shqipëria të bëhet qendër për franshizë ndërkombëtare në rajon, jo thjesht destinacioni i një dyqani të vetëm. Nëse ne arrijmë të jemi porta e Europës drejt Ballkanit, edhe ekuacioni i investitorëve dhe markave të mëdha ndryshon.

 

Cili do të ishte modeli më i përshtatshëm për përfaqësimin e një marke ndërkombëtare në Shqipëri: franshizë, distributor lokal, drejtuese e përfaqësisë së markës për disa shtete apo investim i drejtpërdrejtë? Dhe cilat janë potencialet e tregut për të realizuar këtë investim?

Nuk ekziston një model universal, sepse varet nga kategoria dhe strategjia e markës. Por për karakteristikat e Shqipërisë dhe të rajonit, unë shoh potencial shumë të madh të franshize me një partner të fortë shqiptar, me të drejta zhvillimi rajonal.

Kjo kombinon dy avantazhe: standardin, produktin dhe know-how-n ndërkombëtar të markës me njohjen e tregut, shpejtësinë dhe aftësinë operacionale të sipërmarrësit vendas.

Por modeli varet nga vetë marka. Për një markë premium ose luksoze, kontrolli mbi përvojën dhe imazhin mund të justifikojë një investim më të drejtpërdrejtë.

Ndërsa për markat e konsumit masiv, ku shpërndarja dhe mbulimi i tregut janë thelbësore, një partner lokal mund të jetë më efikas financiarisht.

Për mua, loja më e madhe është rajonale. Shqipëria nuk duhet parë vetëm si një treg më vete, por si pjesë e një strategjie më të gjerë për Ballkanin.

 

Konkretisht a ka shfaqje interesi të markave për sjellë një investim të ri në Shqipëri dhe cili është modeli i biznesit që ata kërkojnë të përfaqësohen?

Ka interes për tregjet që tregojnë rritje të konsumit, turizmit dhe retail-it modern. Por markat e mëdha janë shumë racionale në vendimmarrje. Ato shohin popullsinë, fuqinë blerëse, flukset turistike, lokacionet, kostot, stabilitetin dhe mbi të gjitha partnerin lokal.

Për një treg si Shqipëria, modeli me partner lokal është veçanërisht interesant sepse marka ndërkombëtare nuk ka nevojë të ndërtojë nga zero të gjithë infrastrukturën e tij.

Ajo që mund të themi është se Shqipëria sot është shumë më e dukshme në hartën e investitorëve dhe operatorëve ndërkombëtarë sesa ka qenë disa vite më parë, dhe këtë moment duhet ta shfrytëzojmë.

 

Si ndikon tkurrja e popullsisë dhe emigracioni në kërkesën dhe potencialin afatgjatë të tregut shqiptar për marka ndërkombëtare?

Tkurrja e popullsisë është një nga sfidat më serioze dhe nuk duhet minimizuar. Për një markë që bën analizën e një tregu të ri, demografia është një indikator bazë.

Por analiza nuk duhet të ndalet te numri i rezidentëve. Shqipëria ka një karakteristikë të veçantë: një diasporë të madhe, flukse të rëndësishme sezonale dhe një sektor turistik që po ndryshon ndjeshëm numrin real të konsumatorëve që kalojnë në treg gjatë vitit.

Në afatgjatë, megjithatë, demografia mbetet një sfidë. Pikërisht për këtë arsye, modeli rajonal bëhet edhe më i rëndësishëm.

 

Çfarë ndikimi ka turizmi në kërkesën për marka ndërkombëtare dhe si ndryshon sjellja e turistëve të huaj nga ajo e konsumatorëve shqiptarë? Cilët blejnë më tepër, konsumatorët vendas apo të huaj?

Turizmi është një nga mundësitë më të mëdha që kemi për retail-in në vitet e ardhshme. Çdo turist që zbret në Shqipëri nuk sjell vetëm një valixhe, sjell me vete edhe zakonet e tij të konsumit. Prandaj rritja e turizmit është një mundësi e jashtëzakonshme për retail-in dhe markat ndërkombëtare.

Turisti ndërkombëtar ka një avantazh të rëndësishëm për markat: ai nuk ka nevojë të edukohet për markën. Në shumë raste e njeh atë nga vendi i tij dhe kur e gjen në Shqipëri ka menjëherë besim te produkti, standardi dhe pozicionimi.

Konsumatori shqiptar, nga ana tjetër, mbetet baza më e qëndrueshme e biznesit gjatë gjithë vitit. Prandaj nuk do ta shihja si konkurrencë “turist apo vendas”. Modeli ideal është që konsumatori vendas të sigurojë bazën e shitjeve, ndërsa turizmi të krijojë volum shtesë dhe sezonalitet pozitiv.

Por strategjikisht, rritja e turizmit e bën Shqipërinë dukshëm më tërheqëse për markat ndërkombëtare.

 

Si ndikojnë pasiguria politike, ekonomike dhe ndryshimet rregullatore në vendimin e markave ndërkombëtare për të investuar në Shqipëri?

Mendoj që Shqipëria ka potencial ekonomik dhe kjo duhet shfrytëzuar.

Ngërçi fillon kur potenciali ekonomik nuk shoqërohet me të njëjtin nivel parashikueshmërie institucionale. Një markë e madhe ndërkombëtare ka nevojë për stabilitet në ligje dhe konsistencë në organet shtetërore që i interesojnë.

Dhe pikërisht këtu kemi ende punë për të bërë.

Sot evidentojmë problematika si dobësitë në sundimin e ligjit, informalitetin, burokracinë dhe procedurat e gjata të licencimit, çështjet e pronësisë dhe nevojën për më shumë transparencë e eficiencë institucionale.

Edhe investitorët e huaj kërkojnë më shumë parashikueshmëri, politika më të qëndrueshme dhe komunikim më të qartë nga institucionet.

Për mua, politika më e mirë për të tërhequr një markë është politika që e bën investitorin të ndihet i sigurt për të nesërmen.

Shqipërisë i duhen procedura më të thjeshta, rregulla fiskale të parashikueshme, konkurrencë e ndershme, institucione që reagojnë shpejt dhe një strategji konkrete për tërheqjen e markave ndërkombëtare.

Për shumë vite shqiptarët kanë udhëtuar drejt Europës për të kërkuar markat, eksperiencat dhe standardet e saj. Ndoshta ka ardhur koha që këto marka të bëjnë rrugën e kundërt dhe të vijnë te ne.

Shqipëria ka turistët, ka konsumatorin, ka sipërmarrjen dhe mbi të gjitha ka ambicien. Tani duhet të ndërtojmë urën që i lidh këto me markat e mëdha të botës. Sepse Shqipëria mund të jetë e vogël në hartë, por mund të ketë një rol shumë më të madh në hartën e retail-it të Ballkanit.

 

 

LEXONI EDHE:

Fytyra e re e tregut të veshjeve

Mehmet Memo: Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Semi Gjyli: Veshja sportive po bëhet pjesë e përditshmërisë, më të kërkuarat janë atletet

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Flet Mehmet Memo, Menaxher i LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut   Për menaxherin e LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut...

8 minutes më parë 6 Min Lexim

Veshja sportive po bëhet pjesë e përditshmërisë, më të kërkuarat janë atletet

Flet Semi Gjyli, Menaxherja Ekzekutive e Sport Vision Group   Veshja sportive nuk është më vetëm për sport, po bëhet pjesë e përditshmërisë, n...

12 minutes më parë 6 Min Lexim
Bota /

Jo më strehë e sigurt

14 minutes më parë 7 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!