
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri nga protesta u shpreh se sot policia ka kryer shkelje të lirive dhe të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar ndërsa ka përdorur forcën për shpërndarjen e tyre me ujë, molotovë e dronë duke rrezikuar edhe jetën e të rinjve.
“Kjo është antikushtetuese, shumë e rëndë. Disa dhjetra protestues paqësorë që po protestonin para zyrës së Edi Ramës policia i zhvendosi në trotuar pa dhënë asnjë shpjegim. Është e qartë që jemi në një shtet policor që ka vendosur të shtypë protestën. Policia sot ka rrezikuar jetën e protestuesve përmes dronëve që hedhin bomba me gaz lotsjellës dhe janë rrëzuar jo një por dy. Edhe makinat e ujit ishin shtuar sot nga 2 janë bërë 6 e përveç dronëve, uji që është hedhur pa mëshirë, gazi lotsjellës”, tha Kapri për mediat.
Kapri tha se të rinjtë dolën edhe këtë të shtunë masivisht në shesh, ndërsa u shpreh se sjellja e Policisë bëhet me urdhër të Ramës i cili sipas tij, ka qëllim vetëm të shpëtojë veten nga drejtësia.
“Edhe sot sheshi u tejmbush, pavarësisht represionit të Ramës dhe policisë së tij politike, shpirti i protestës vazhdon. Vendi do një zgjidhje politike dhe sa kohë Rama nuk e kupton këtë gjë, shqiptarët do të vuajnë ndërkohë që Edi Rama kërkon të shtyjë ditët në pushtet sepse kërkon një garanci nga drejtësia që të mos shkojë në burg. Dhuna dhe çdo shkop gome që ata kanë goditur të rinjtë do marrë përgjigjen e duhur ligjore. E çdo drejtues policie, ata që kanë dhënë urdhër dhe ata të papërgjegjshëm që kanë ushtruar dhunë në protestë do përgjigjen para ligjit. Sot i mbron Edi Rama por shumë shpejt e dinë shumë mirë që nuk do t’i mbrojë më”.